Zhvillimi vjen disa orë pas sulmit makabër të ushtrisë izraelite ndaj civilëve në Rafah ku u vranë 45 palestinezë.
Ushtarët izraelitë dhe egjiptianë kanë shkëmbyer zjarr sot në kufirin e përbashkët çka rezultoi fatale për një ushtar egjiptian, njoftonin burimet e dy vendeve.
Ushtria izraelite raportoi për një “incident me të shtëna” pranë pikës kufitare në Rafah për të cilin thanë se po hetojnë.
Autoritetet egjiptiane gjithashtu thanë se kanë hapur një hetim mbi incidentin, teksa në dekalartën e tyre thuhet: “Forcat e armatosura po hetojnë mbi një incident me të shtëna në zonën kufitare që çoi në martirizimin e një anëtari të personelit të ushtrisë”.
Nuk ka ende të dhëna te tjera për ngjarjen tragjike, e cila vjen pas një sulmi të papritur mbrëmë të ushtrisë izraelite ndaj kampit të të zhvendosurve palestinezë në Rafah ku të paktën 45 palestinezë janë vrarë, përfshi dhe fëmijë.
Burimet palestineze thanë se të paktën 60 vetë ishin plagosur nga sulmi.
Izraeli tha sot se ishte një “gabim tragjik” dhe se tentonte të shënjestronte komandantë të Hamas.
Predhat izraelite ranë mbrëmë në Tel Al-Sutan, në perëndim të Rafah ku qëndronin mijëra të zhvendosur palestinezë që kërkonin t’i shpëtonin goditjeve izraelite në rajonet më veriore.
Ata nuk kishin marrë lajmërime evakuimi apo paralajmërime për sulme, teksa jetonin në tenda e streha të improvizuara.
Një grua palestineze që jetonte në kamp tha për CNN se nuk kishte asnjë paralajmërim para goditjeve.
Ranin Miqdad tha: “Ne ishim ulur, dhe papritur ndodhi një shpërthimi madh dhe zjarr, njerëzit nisën të ulërinin. Dolëm jashtë të shihnim çfarë po ndodhte. Kaluam të gjithë natën duke nxjerrë trupa të copëtuar, të rriturish e fëmijësh”, tha gruaja.
Kreu i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell dënonte sot sulin në rrjetet sociale: “I tmerruar prej lajmeve që vijnë nga Rafah ku sulmet izraelite vranë dhjetra palestinezë të zhvendosur, duke përfshirë dhe fëmijë”.
“Nuk ka asnjë vend të sigurtë në Gaza. Këto sulme duhet të ndalojnë, ligji i gjykatës ndërkombëtare duhet të respektohet”, shkruante Borrel.
Ministria e jashtme egjiptiane quante sulmin izraelit në kampin në Rafah “bombardim i qëllimshëm” dhe kërkoi zbatimin e urdhrit të gjykatës ndërkombëtare për ndalimin e menjëherëshëm të operacioneve ushtarake./TheSun/
Top Channel