OKB-ja i kërkon Izraelit të hetojë sulmin në Rafah/ Shtëpia e Bardhë: Jemi në kontakt me IDF për ngjarjen

27/05/2024 19:17

I dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, i bëri thirrje Izraelit të kryejë një “hetim të plotë dhe transparent” për sulmin ajror vdekjeprurës në Rafah.

Ai tha se ishte thellësisht i shqetësuar nga sulmi, i cili vrau të paktën 45 njerëz.

“I bëj thirrje autoriteteve izraelite që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për këtë incident, të mbajnë përgjegjësi për çdo keqbërje dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur më mirë civilët”, tha ai në një deklaratë.

IDF më herët tha se incidenti do të shqyrtohet nga një mekanizëm hetimor i nivelit të lartë.

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas sulmit ajror vdekjeprurës gjatë natës në Rafah, duke njoftuar se po diskutojnë me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, për ngjarjen.

“Izraeli ka të drejtë të ndjekë Hamasin dhe ne e kuptojmë se ky sulm vrau dy terroristë të lartë të Hamasit, të cilët janë përgjegjës për sulmet kundër civilëve izraelitë. Por siç kemi qenë të qartë, Izraeli duhet të marrë çdo masë paraprake të mundshme për të mbrojtur civilët”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Top Channel