Rikthim te këngët e vjetra! “Muzikë kur dëgjoj”, koncerti i fëmijëve artistë në Gjirokastër

27/05/2024 16:48

Këngët dhe meloditë – memorie të Festivaleve të Këngës ndër vite si dhe kolonat e njohura të filmave shqiptarë u risollën në skenë në Gjirokastër nën interpretimin e fëmijëve artistë të moshave të ndryshme.

Eventi që solli motive ritmike dhe këngë që shumica e audiencës mund ti shoqëronte po përgatitej prej muajsh dhe sipas drejtueses artistike Semine Sulozeqi u parapri nga një proces selektimi për të sjellë disa nga arritjet më të mëdha të muzikës shqiptare të 70 viteve të fundit.

Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Publiku ka nostalgji për këngë të tilla sepse përfshin një repertor të gjerë me këngë që nga vitet ’60, ’70, 80, ’90. Ishin një shumëllojshmëri këngësh nga filmat shqiptarë për fëmijë dhe të rritur si dhe u mundova të bëj një përzgjedhje të këngëve fituese të Festivaleve të Këngës”, tha Semine Sulozeqi.

Edhe fëmijët pjesëmarrës e kanë shijuar koncertin. Në planin e edukimit muzikor ata përcollën këngë që nuk i kishin hasur më parë, që i përkasin 3 ose 4 gjeneratave të kaluara por që u sollën me natyrshmërinë e zërave dhe thjeshtësinë e gjuhës.

“Ishte emocion të interpretoja këto këngë të bukura shqiptare. Publiku u kënaq shumë. Të gjithë duartrokisnin dhe këndonin bashkë me ne”, tha një fëmijë.

“Ishte një nga emocionet më të mëdha të jetës sime. Shpresoj që të jem pjesë e shumë aktiviteteve të tjera në të ardhmen dhe hajdeni të na shikoni”, u shpreh një tjetër.

” Unë këndova këngën “Ndodh në jetë” me shoqen time Amarisin dhe besoj se bëjmë një duo shumë shumë të veçantë.”

Koncerti “Muzikë kur dëgjoj” do të vijojë performancën në Gjirokastër me disa nga arritjet e muzikës së lehtë shqiptare ndër vite. Repertori lidhet me këngët e filmave shqiptarë si “Një vonesë e vogël”, “Në shtëpinë tonë”, “Fillimi i vështirë”, “Kur xhirohej një film”, “Tela për violinë” dhe shumë këngë fituese të Festivaleve të Këngës që prej viteve ’70.

Top Channel