Ishulli i Sazanit u hap me vonesë këtë vit pavarësisht bujës së madhe që është bërë nga interesi amerikan për investime dhe kërkesat e larta turistike për ta vizituar
Gjatë dimrit, kjo zonë shërben për qëllime ushtarake por që nga viti 2012, kur turi u ofrua për herë të parë, destinacioni është hapur çdo vit më 1 maj, datë që përkon edhe me çeljen zyrtare të sezonit turistik në Vlorë. Këtë fundjavë e para me ishull të hapur fluksi ishte i lartë në anijet lundruese apo me mjete të tjera si skafet.
“Sot është dita e parë në qytet dhe vendosem të shijojmë pak detin dhe diellin”, tha një turist.
“Jam nga Kalifornia por jetoj në Bullgari. Prej tre javësh ndodhem në Vlorë. Më pëlqen çdo gjë këtu, deti ushqimi, njerëzit. Por disa detaje duhen përmirësuar”, tha një turiste.
Operatorët turistikë pohojnë se gjatë kësaj kohe që ishulli ka qenë i mbyllur kanë qenë të detyruar të anulojnë rezervimet për shkak të kësaj situate që vjen për shkak mungesës së koordinimit.
“Nuk është e para herë, çdo vit e njëjta situatë, dhe turistët janë të shumtë që kërkojnë të vizitojnë këtë ishull, pasi që nga Kryeministri dhe të gjithë e promovojnë atë ishull. Edhe pse çdo gjë është gati për sezonin, dhe pavarësisht kërkesave që kemi bërë kjo është një burokraci midis institucioneve apo ministrisë”, tha Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë të jugut.
E njëjta situatë ka qenë edhe me pronarët e mjeteve lundruese.
Lundrimet Karaburun-Sazani mbeten turi i parë në Shqipëri që numëron mbi 1 milion vizitorë në vit.
Top Channel