Avioni pasagjerëve vret 30 flamingo me një goditje të vetme gjatë uljes në Indi (fotot)

21/05/2024 17:07

Flamingot, një specie e mbrojtur emigruese në Indi, po fluturonin në perëndim të Mumbai kur ndodhi incidenti rëndë.

Të paktën 30 prej tyre u vranë nga goditja e avionit tip Emirates Boeing 777 në perëndim të Indisë.

Avioni që po kryente linjën Dubai-Mumbai kishte rreth 300 pasagjerë në bord kur u përplas me tufën e zogjve pak para uljes në kryeqytetin financiar të Indisë.

Mjeti raportohet të kishte pësuar dëme të vogla por ulja e tij u krye pa probleme në aeroport.

Pas incidentit vendasit raportonin se vendi ishte mbushur me kufoma zogjsh dhe krahë të thyer, që kishin tmeruar banorët e zonës urbane.

Zyrtaret pyjorë të Maharashtra mblodhën mbetjet e shumë prej shpendeve dhe thanë se numri i zogjve të vrarë mund të arrijë deri në 36.

“Pjesët trupore janë dërguar për analiza”, tha zyrtari vendas Pawan Sharma, ndërsa një aktivist tha se zogjtë po fluturonin në një trajektore të pazakontë prej disa linjave të reja elektrike që ishin vendosur në rezervatin e tyre Thane Creek.

OJQ e mbrojtjes së kafshëve Vanshakti tha për rrjetin vendas ‘Hindustan Times’ se pajisjet e reja elektrike “në zonën e mbrojtur natyrore kanë shkaktuar çorientim të zogjve”.

“Lejet për linja elektrike brenda rezervateve më parë nuk lejoheshin, por bordi i botës së egër iu dorëzua kompanive energjitike. Ata hynë me bulldozerë në Thane Creek dhe ngritën kullat,” citohej të kishte thënë zyrtari.

Mijëra flamingo vijnë në Mumbai në dimër, por zogjtë dhe habitati i tyre kërcënohen nga ndërtimet e zgjeruara dhe ndërhyrjet në hapësirat natyrore, shkruan rrjeti Independent.

India ka popullatën më të madhe të flamingove jashtë kontinentit afrikan, për të cilat kryen numërime nga tetori deri në maj për të llogaritur popullatën.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA