Tremujorin e parë të këtij viti popullsia regjistroi një shtesë natyrore negative.
Në tre muaj lindën 5.056 foshnja duke shënuar një rënie me 6,8 %. Ky është niveli më i ulët historik i regjistruar të numrit të lindjeve.
Nga krahu tjetër numri i personave që ndërruan jetë ishte 5.537 me rënie 5.2% në krahasim me një vit më parë. Në këtë raport bilanci anon nga numri i personave që humbën jetë me 481 persona më shumë.
Sipas INSTAT vetëm katër qarqe të vendit njohën shtim natyror të popullsisë, ku në krye është Tirana, më pas Durrësi ndjekur nga Dibra dhe Kukësi.
Ndërkohë për tetë qarqe të tjera popullsia u tkurr, ku qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, ndjekur nga Vlora, Fieri dhe Berati.
Sa i përket lindjeve INSTAT bën me dije se të gjitha qarqet erdhën me rënie, me më pak foshnja që u lindën në qarkun e Vlorës në krahasim me një vit më parë, ndjekur nga Berati.
Njëkohësisht edhe numri i vdekjeve ka ardhur me rënie në të gjitha qarqet përveç Tiranës. Më pak njerëz ndërruan jetë në krahasim me një vit më parë në qarkun e Gjirokastrës dhe në Shkodër.
Ndërkohë në një bilanc vjetor të bërë INSTAT vihet re se në 2023-in popullsia u tkurr në gjashtë qarqe të vendit ku në krye qëndronin Korça dhe Fieri.
Rënia e numrit të lindjeve dhe rritja e emigracionit ka gërryer popullsinë shqiptare në 20 vitet e fundit, ndërsa të dhënat paraprake të CENS-it në fundin e qershorit pritet të japin një panoramë më të qartë të numrit aktual të banorëve.
Top Channel