Macron po mban takime emergjence për trazirat e rënda në territorin francez të Paqësorit pas planeve të qeverisë për reforma elektorale.
Caledonia e Re është përfshirë nga trazirat për të tretën ditë radhazi pas prezantimit të planeve të qeverisë se Parisit për ndryshimin e të drejtës së votës, ndërsa deri tani raportohet tre të vdekur nga përplasjet.
Herën e fundit që Franca vendosi gjendjen e emergjencës për arqipelagun e oqeanit Paqësor ishte në janar 1985, pas kulmimit të konflikteve mes autoriteteve franceze dhe militantëve të pavarësisë së territorit që kanë qenë aktive prej viteve 1980.
Policia e ishullit ka arrestuar më shumë se 130 njerëz ndërsa “dhjetra të tjerë janë ndaluar” njofton Komisioni i lartë Francez atje. Prej të hënës më shumë se 300 vetë janë plagosur, shtojnë ata.
Trazirat nisën kur politikanët në Paris – 17,000 km larg vendit, votuan për lejimin e të drejtës së votës të banorëve që jetojnë prej 10 vitesh në Kaledoninë e Re.
Liderët vendas të grupit indigjen Kanak thanë se kjo është e padrejtë dhe shpërndan vendimmarrjen. Grupi indigjen përbën 41% të popullatës vendase dhe është forca kryesore në lëvizjen pro-pavarësisë.
Tre njerëz të vdekur në protestën e sotme ishin indigjenë Kanak, tha një zëdhënës i presidentit të vendit, Louis Mapou.
Të gjitha partitë e territorit të jashtëm francez bënë thirrje në një deklaratë të përbashkët për “qetësi dhe arsye” teksa shtetrrethimi u shty deri nesër, duke mbyllur shkolla, institucione e aeroporte.
Në kryeqytetin Nouméa, dhe në komunën e Païta kishte raportime për shkëmbime zjarri mes protestuesve dhe autoriteteve të mbrojtjes civile.
Zyrtarët thanë se një person u gjet i qëlluar për vdekje në një zonë industriale, por komisioneri i ishullit Louis Le Franc, tha se “nuk ishte qëlluar nga policia, por ndoshta nga dikush për vetëmbrojtje”.
Le Franc paralajmëronte se nëse nuk rivendosej qetësia “shumë vdekje” mund të ndodhin në qendër të Nouméa.
E përditshmja Le Monde tha se Le Franc e përshkruante situatën “të ngjashme me një kryengritje”, që sipas tij mund të marrë formën e një “lufte civile”.
“Ka zjarrvënie e bastisje të dyqaneve e ndërtesave publike”, thanë autoritetet franceze , të cilat shtonin se forcat e sigurisë kishin marrë kontrollin e burgut të Nouméa, për një tentative kryengritjeje nga disa dhjetra të burgosur.
Aeroporti vendas i La Tontouta mbetej i mbyllur për fluturimet komerciale.
Top Channel