Shmangia e emrit zyrtar të Maqedonisë së Veriut nga presidentja e re Siljanovska Davkova, ngjallen reagime në BE

13/05/2024 18:28

Këmbëngulja e presidentes së re maqedonase Siljanovska Davkova, për të përdorur referencën e vjetër dhe jo emrin e ri kushtetues ‘Maqedonia e Veriut’ gjatë betimit në parlament të dielën, nxiti reagime në Athinë, Bruksel, por dhe në Sofje. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se qeveria e tij nuk do të pranojë “gabime të tilla”.

Ai e quajti provokues, joligjor dhe të papranueshëm veprimin e presidentes Siljanovska Davkova.

Zoti Mitsotakis shkruan në rrjetet sociale se shkelja e Marrëveshjes së Prespës dhe e vetë kushtetutës së vendit fqinj rrezikon të ardhmen e tij.

Ai shton më tej se Demokracia e Re, partia e tij, votoi kundër marrëveshjes në vitin 2019, duke paralajmëruar se do të paraqiteshin probleme me zbatimin e saj.

“Por, si qeveri e respektojmë nënshkrimin grek në marrëveshjen ndërkombëtare. Nuk do të pranojmë gabime të tilla”, thekson zoti Mitsotakis, duke shtuar se “çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës varet nga zbatimi i sinqertë i asaj çka është arritur, duke nisur nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të vendit fqinj”.

Pas reagimit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Mitchel që i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të respektojë marrëveshjet detyruese, siç është ajo e Prespës, zëdhënësi Peter Stano tha të hënën se ajo që pritet nga Maqedonia e Veriut është theksuar shumë qartë në raportin e fundit të zgjerimit të BE-së.

“Asaj i kërkohet të ruajë marrëdhinet e mira me vendet fqinje, ndërsa marrëveshjet dypalëshe duhet të zbatohen në mënyrë të sinqertë dhe të drejtë, nga të gjitha palët, përfshirë Marrëveshjen e Prespës në mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen e miqësisë së mirë me Bullgarinë. Këto janë pritshmëritë e Bashkimit Evropian”, theksoi zëdhënësi.

BE-ja pret të bashkëpunojë me autoritetet e zgjedhura në Maqedoninë e Veriut për t’i ndihmuar vendit të ecë përpara duke plotësuar kushtet e kërkuara nga Blloku lidhur me rrugën e integrimit të këtij vendi në BE.

“Ata (autoritetet maqedonase) kanë mundësinë të bindin të gjithë në BE se zotohen për të ardhmen evropiane të vendit të tyre dhe se do të bëjnë gjithçka për të vazhduar me rrugën e suksesshme të integrimit”, tha zëdhënësi Stano, pa dashur të spekulojë nëse do të ketë masa ndëshkimi ndaj Shkupit.

Edhe ambasada amerikane në Shkup pret që pas formimit të qeverisë së re të forcohet respektimi për marrëveshjet ndërkombëtare, siç është ai i Prespës.

Në Sofje, presidenti bullgar Rumen Radev është shprehur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i saktë i marrëveshjejeve ndërkombëtare.

Në Shkup, sjellja e presidentes së re është dënuar nga Fronti Evropian, ndërkohë që ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga kërkon që zonja Siljanovska ta bëjë edhe një herë betimin siç duhet, përndryshe posti i presidentit t’i kalojë kryetarit të parlamentit, Jovan Mitrevski.

“Kur munden Shtetet e Bashkuara dhe (presidenti) Obama mundet edhe Maqedonia e Veriut dhe Siljanovska”, shkruan ai në rrjetet sociale, duke kujtuar përsëritjen e betimit të presidentit Obama pas ngatërrimit të fjalëve herën e parë.

Kabineti i presidentes Siljanovska Davkova thotë se ajo ka të drejtë në paraqitjet e saj publike ta përdorë emrin ‘Maqedoni’, si akt i të drejtës personale dhe të vetëidentifikimit, teksa “do do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues”, thuhet në komunikatë.

Partitë e koalicionit shqiptar “Vlen”, nga ana tjetër e kanë miratuar faktin që zonja Siljanovska e nënshkroi aktin e betimit ku qëndron emri kushtetues – Maqedonia e Veriut. Këto parti synojnë të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Takimet e filluara në fund të javës pritet të vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve. Burimet e afërta me VMRO-në thonë se shqiptarëve do t’i lihet Ministria për Marrëdhëniet me Komunitetet, eventualisht ajo e Ekonomisë dhe ndonjë tjetër, pa saktësuar më tej; ndërkohë që Vlen nuk është prononcuar lidhur me këtë.

Partitë shqiptare patën paraqitur si kusht kryesor ndryshimin e kushetutës për t’u bërë pjesë e qeverisë, por sipas analistëve, autoritetet e reja nacionaliste të vendit, mund ta zvarrisin këtë çështje.

Retorika nacionaliste tek një pjesë e mirë e opinionit publik shikohet si kthim i populizmit tek VMRO-ja, ndërsa lexohet si largim i Maqedonisë së Veriut nga integrimi evropian dhe shtim i paqartësive rreth drejtimit që mund të marrë vendi./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA