Arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi, ndalohet 41-vjeçari

28/04/2024 18:23

Arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi ka vazhduar të rritet, pas arrestimit të dy gazetarëve të tjerë në fundjavë.

Associated Press raportoi të dielën se Sergei Karelin u arrestua  nga autoritetet ruse në rajonin Murmansk, nën akuzat për “ekstremizëm”, në lidhje me videot që supozohet se i bëri për kanalin “Navalny Live” në YouTube.

Karelin, 41 vjeç, është gazetar dhe kameraman dhe kishte punuar edhe për Associated Press dhe Deutsche Welle gjithashtu.

Ai u arrestua vetëm një ditë pasi një gjykatë në Moskë urdhëroi paraburgosjen e gazetarit Konstantin Gabov të shtunën për akuzat e njëjta.

Karelin dhe Gabov i mohojnë akuzat. Kanali “Navanly Live” u themelua nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny.

Rusia e ka intensifikuar shtypjen e mediave të pavarura prej se e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Top Channel