Skuadra “surprizë” e La Ligas, Girona mposht Las Palmas dhe parakalon Barcelonën

27/04/2024 16:45

Girona kalon me sukses pengesën Las Palmas. Skuadra katalanase fitoi 0-2 në transfertë, duke u afruar edhe më shumë me kualifikimin historik në Champions League.

Takimi nisi me penallti të humbura. Sandro Ramirez dështoi për vendasit në minutën e tetë. Ndërkohë që në të 26’ gaboi nga pika e bardhë Artem Dovbyk në krahun tjetër.
Por David Lopez përfitoi nga topi i grushtuar prej portierit të Las Palmasit dhe kaloi Gironën në avantazh.

Miqtë realizuan golin e qetësisë në minutë e 57’. Sërish penallti, e treta e ndeshjes. Dovbyk nuk gaboi më, duke dërguar topin në rrjetë.

Ky ishte goli i 19-të sezonal në La Liga për sulmuesin ukrainas të Gironës, goleadori më i mirë për momentin në elitën e futbollit spanjoll.

Fitorja e sotme ka ngjitur Gironën në vendin e dytë me 71 pikë. Një pikë mbi Barcelonën. Që luan të hënën në shtëpi kundër Valencias./ Supersport

Top Channel