Netanyahu “kundër” SHBA-së: Do kundërshtojmë çdo sanksion ndaj ushtrisë izraelite!

22/04/2024 12:33

Nuk do të pranojmë asnjë lloj sanksioni ndaj ushtrisë sonë, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta ndërpresin ndihmën për njërën prej njësive të saj.

“Do ta luftoj një gjë të tillë me të gjithë forcën time”, u zotua kreu i ekzekutivit izraelit, duke dëshmuar kështu një tjetër krisje në marrëdhënien e fortë mes dy aleatëve të vjetër.

Më herët, portali Axios njoftoi se shënjestra e Shteteve të Bashkuara ishte bataljoni Netzah Yehuda; ndëshkimi thuhet të jetë pasojë e shkeljes së të drejtave të njeriut në Bregun e Pushtuar Perëndimor. Kjo njësi këmbësorie është themeluar rreth 25 vjet më parë për të berë pjesë të ushtrisë meshkujt ultra-ortodoksë. Shërbimi i detyruar ushtarak i është kursyer shumë ultraortodoksëve në Izrael.

Washingtoni nuk i ka pezulluar asnjëherë më parë ndihmën një njësie të forcave izraelite të mbrojtjes, të njohura si IDF. Liderët izraelitë e cilësuan të “padrejtë” vendimin për sanksionet, veçanërisht në kohë lufte, dhe u zotuan ta kundërshtojnë atë. Netzah Yehuda, apo Judea Përgjithmonë, ka qenë gjithmonë e vendosur në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe disa pjesëtarët të tij janë akuzuar për abuzime me palestinezët.

Kjo njësi u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara më 2022, pasi një i moshuar amerikano-palestinez u gjet i vdekur pak pasi ishte arrestuar në një pikë kontrolli në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite shprehur keqardhje për rastin, por vendosi të mos hapte procedura penale. Të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se ka vendosur t’i shqyrtojë akuzat se disa njësi të ushtrisë izraelite i kanë shkelur kushtet për pranimin e ndihmës amerikane, e nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij as pas thirrjeve të ministrit izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant për te hequr dorë nga sanksionimi i Netzah Yehudan, duke thënë se bota i ka më shumë se kurrë më parë në lupë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit.

Top Channel