Erdogan takohet me kreun e Hamasit, reagim nga qeveria izraelite: Presidentit të Turqisë, duhet t’i vijë turp

22/04/2024 09:51
Kreu i Hamasit Ismail Haniyeh, dhe presidenti turk Erdogan

Një takim i presidentit turk Recep Tayip Erdogan me kreun e Hamasit, Ismail Haniyeh ka sjellë reagimin e ministrit izraelit Israel Katz i cili e konsideroi një takim të tillë si të turpshëm.

Israel Katz ndau një foto në X e cila tregonte Erdoganin duke shtrënguar duart me Ismail Haniyeh në një zyrë presidenciale në Stamboll gjatë fundjavës, duke shkruar se presidenti turk “duhet të ketë turp”.

Sipas zyrës presidenciale turke, Erdogan u takua me Haniyeh së bashku me anëtarët kryesorë të kabinetit të tij dhe Sameh Shoukry, ministri i jashtëm egjiptian, për të diskutuar mbi sulmet izraelite në Gaza dhe përpjekjet për të qetësuar tensionet në të gjithë rajonin.

Erdogan dhe Shoukry shprehën shqetësimin gjatë takimit se sulmet e fundit me dron midis Izraelit dhe Iranit mund të largojnë vëmendjen ndërkombëtare nga vuajtjet në terren në Gaza, ku 34,000 njerëz janë vrarë nga bombardimet izraelite që nga 7 tetori.

Marrëdhëniet turke me Izraelin janë përkeqësuar me shpejtësi që pas sulmit të Izraelit ndaj Gazës. Ankaraja kohët e fundit vendosi të ndalojë eksportin e 54 produkteve, përfshirë aluminin dhe çimenton, në Izrael derisa të arrihet një armëpushim.

Top Channel