Një lutje për Institutin Italian të Kulturës

07/04/2024 22:35

Nga Auron Tare

Të nderuar Zotërinj/Zonja të Institutit Italian të Kultures.
85 vjet të shkuara si sot, anijet e flotës italiane mësyne 4 Portet kryesore të Shqiperisë duke filluar kështu Pushtimin e Mbreterisë së vogël Shqiptare nga Italia Fashiste.
Rezistenca shqiptare edhe pse sporadike i detyroi repartet fashiste ta mernin seriozisht zbarkimin shqiptar. Në rrafshin ndërkombtar, lufta në Portin e Durrësit dhe atë të Sarandës u përcoll nga të gjitha agjensitë ndërkombëtare të lajmeve, perfshirë edhe BBC e cila dëgjohej në të gjithë Globin.
Lajmi i rezistencës shqiptare kundër invadimit italian, sipas dokumentave të deklasifikuara mbërriti edhe në tryezën e Presidentit Amerikan Rosvelt dhe Sekretarit të Parë të Bashkimit Sovjetik, Stalin.
Sot në këtë 85 vjetor të kesaj ngjarje me pasoja të forta në historinë dhe koshiencën e popullit të vogel shqiptar nuk u pa dhe as u dëgjua ndonjë përkujtimore nga institucionet Shqiptare. Për këtë arsye si një vend demokratik dhe anti fashist që ju jeni dhe anëtare e Bashkimit Europian, po Ju drejtohem me këtë lutje publike që të bëni të mundur përkujtimin e kësaj ngjarje kaq të rëndësishme për të dyja kombet.
Si një Institucion Kulturor jam i bindur dhe kam shpresë se Ju do të jeni te vetmit institucion në Shqipëri që mund ta kujtoni këtë ngjarje kaq të madhe dhe me pasoja historike në Luftën e Dytë Botërore.
Ne shqiptarët nuk kemi kohë për të tilla përvjetore pasi jemi të zënë me rregullimet e shtëpive për të pritur turistët italine që do të vinë këtë verë.
Ju faleminderit

Top Channel