Rekord i ri emigrantësh në La Mansh! Mbi 4, 600 azilkërkues kanë mbërritur në Britani, shtohet presioni mbi Rishi Sunak!

28/03/2024 14:40

Më shumë se 4,644 azilkërkues kanë mbërritur në Britani me varka të vogla deri më tani gjatë 2024-tës, një rekord ky për tre muajt e vitit që i jep një dhimbje të re koke kryeministrit Rishi Sunak.

Të dhënat e ministrisë së brendshme në Londër tregojnë se shifra e emigrantëve që kaluan La Manshin me varka të vogla e gomone deri më 26 mars është më e lartë se 3,770 emigrantët e shënuar gjatë të njëjtës periudhë vitin e kaluar e madje është më shumë edhe rekordi i vitit 2022 me 4,162 klandestinë. Shefi i ekzekutivit britanik ka shpresuar shumë që masat e marra prej tij ta frenonin këtë fenomen, por duket kjo nuk po funksionon.

Tani e ka kanalizuar një pjesë të mirë të energjisë tek skema e vet kryesore, që është dëbimi në Ruanda i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, teksa legjislacioni që synon ta vërë në jetë këtë plan pas një serie pengesash ligjore, pritet të rikthehet në parlament muajin e ardhshëm. “Niveli i papranueshëm i njerëzve që vazhdojnë të kalojnë La Manshin tregon saktësisht përse duhet të nisim fluturimet drejt Ruandës sa më shpejt të jetë e mundur,” tha një zëdhënës i Home Office javën e kaluar.

“Ne po vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me policinë franceze, e cila po përballet me dhunë dhe trazira në rritje në plazhe teksa punojnë pa u lodhur për të parandaluar këto udhëtime të rrezikshme, të paligjshme dhe të panevojshme,” shtoi ai.

Shifrat e përgjithshme vjetore patën pësuar një rënie prej 36% vitin e kaluar nga rekordi total i 2022-shin, çka bëri që Sunak të dilte me pretendimin se qeveria e tij kishte nisur të korrte sukses me ndalimin e gomoneve, një nga prioritetet e tij kryesore përpara zgjedhjeve që priten të mbahen më vonë këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA