Marrëveshja për emigrantët me Italinë/ Rama paralajmëron Brukselin: Po sillemi si vend anëtar! Masa ose situata mund të dalë nga kontrolli

15/02/2024 10:02

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun malazez Milojko Spajic dhe Presidentit të Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Ropke, në Bruksel, është ndalur edhe te marrëveshje për emigrantët me Italinë.

Sipas Ramës, kontributi modest që po jep Shqipëria si vend jo anëtar i Bashkimit Evropian për fqinjin përtej Adriatikut, është ajo çka duhet të bëjë çdo vend anëtar. Në vend që të shihen simptomat për konsum politik, theksoi Rama, duhet gjetur parë thelbi i çështjes me qëllim trajtimin e saj përpara se situata të dalë nga kontrolli. Shqipëria nuk e ka zgjidhjen, sipas kryeministrit, por u tregua e gatshme për të ndarë barrën e përgjegjësisë me Italinë. Rama paralajmëroi se lënia pas dore e çështjes së emigrantëve që dynden në brigjet e Mesdheut mund të shkaktojë një krizë katastrofike në të ardhmen.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe e dimë se në kohë të mira është shumë e mundshme që të dembelosemi dhe t’i hyjmë rrugës së vjetër të devijimit apo edhe lënies së përmbushjes së rrugës drejtë BE.

Tani ose nuk e kuptova unë pyetjen ose nuk e shoh se si ajo çka po bëjmë me Italinë bie ndesh me qëndrimin e BE për emigracionin. Është e kundërta do të thoja. Ajo që po bëjmë me Italinë si shtet jo anëtar është çka supozohet të bëjë shteti anëtar. Nëse e ashtuquajtuara politikë e rishpërndarjes ka dështuar masivisht, kjo nuk e bën atë që po bën Shqipëria diçka që bie ndesh me politikat e Bashkimit Evropian për emigracionin. Ne po sillemi si një vend anëtar dhe po pranojmë se një tjetër vend anëtar i BE të ndajë me ne barrën e përgjegjësisë për t’u përballur me një çështje kaq të vështirë në kontekstin ku emigracioni është bërë ushqim i debateve të politikës së përditshme dhe këto debate ushqim për zgjedhjet e radhës.

Natyrisht kjo nuk mund të jetë përgjigja e përbashkët e BE-së për këtë cështje. E gjithë politika që prodhohet nga kjo cështje nuk po merret me thelbin, shkakun, por simptomat. Ndaj po bëhet tepër shqetësuese dhe situata në të ardhmen e afërme mund të dalë nga kontrolli. Natyrisht ne nuk jemi një vend që mund të gjejmë zgjidhjen, por po japim kontributin tonë modest për një fqinj sikurse Italia. Ne jemi një vend që na ndan vetëm deti dhe në këtë det po ndodhin gjëra prej të cilave nuk mund të rrimë larg dhe të bëjmë sikur nuk kemi asnjë lidhje me të. Ne nuk jemi shtete anëtare dhe nuk na ndalon askush për t’u përfshirë në atë që ju e quani punë e pisët. Në fakt është më shumë sesa kaq. Është një punë shumë sfiduese lënia pas dore e së cilës mund t’i shkaktojë nesër dëme që nuk jam i sigurt nëse mund t’i parashikojmë sa katastrofike mund të jenë”- tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA