Serbët shpërndajnë “trakte”/ Thirrje për mobilizim kundër policisë së Kosovës në veri

13/02/2024 15:39

Disa fletushka që bëjnë thirrje për rezistencë dyshohet se u janë shpërndarë qytetarëve serbë gjatë dhe pas protestës së ditës së hënë në Mitrovicë të Veriut.

Përgjegjës për këtë duket të jetë një organizatë e re “Mbrojtja kombëtare”, emri i së cilës figuron në këtë fletushkë që përmban udhëzime për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës dhe se si duhet trajtuar zyrtarët e administratës.

“Si duhet vepruar kur te shihni patrullën e policisë së Kurtit. Gjuaj me gjërat që ke në dorë (lojë, saksi, ngjyrë, ve, koktej), Si duhet vepruar kur shihni shërbyesin civil të Kurtit. E pështyni, e shani dhe në rast se kundërpërgjigjet injorojeni por në qoftë se është i vendosur atëherë bjerini shuplakë”, janë udhëzimet e para të kësaj fletushke e cila po ashtu bën thirrje për reagim nga të tjerët kur shohin se Policia e Kosovës e arreston një qytetarë serb.

Mes udhëzimeve të tjera është edhe ajo për përgatitjen e një kokteji të molotovit ku jepen instruksionet për sasinë e përbërësve që duhet të përdoren.

Paraqitja e kësaj strukture të re në veri të Kosovës sipas njohësve të sigurisë paraqet rrezik për përshkallëzim të situatës.

“Kemi një strukturë e cila do të kontrollojë veprimet e këtyre dhe do ketë organizime të reja. Është një skenar që ka ndodhur edhe në vitin e kaluar me vendimit e targave dhe po veprohet njëjtë. Edhe në atë kohë ishin shpërndarë njëkohësisht njoftime dhe fletushka për moszbatim të vendimeve të institucioneve të Kosovës dhe sipas skenarit, aktivitetet pritet të përshkallëzohen dhe do kemi aktivitete më të dhunshme se sa kemi pasur deri tani”, tha Bedri Elezaj-njohës i sigurisë.

Për këtë rast, Policia e Kosovës njofton se kanë iniciuar procedurë për thirrje për rezistencë dhe nxitje të urrejtjes.

Krahas këtyre fletushkave në veri të Kosovës është rishfaqur grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA