Kundërshtia e palëkundur e Izraelit nuk i ka zmbrapsur Shtetet e Bashkuara që të ndjekin një politikë aktive për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me kushtin që ai të ofrojë garanci sigurie për shtetin hebre.
Për këtë arsye, nga sa pohoi Departamenti i Shtetit i cituar nga Reuters, po bashkëpunojnë me partnerët në rajon lidhur me të gjitha alternativat. Zëdhënësi Matthew Miller nuk hyri më gjatë në detaje mbi mënyrën sesi po punohet në këtë drejtim, por e pohoi në një konferencë shtypi se përpjekja ka qenë objektiv i administratës së Presidentit Joe Biden.
“Po përpiqemi në mënyrë aktive për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me garanci reale sigurie për Izraelin, sepse ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin, për palestinezët dhe për rajonin. Ka një numër mënyrash për ta arritur këtë, një sërë hapash që mund të kryhen për ta përmbushur këtë objektiv. Kemi një gamë të gjerë alternativash të cilat po i diskutojmë me partnerët tanë në rajon si dhe me partnerët e tjerë brenda qeverisë amerikane”, tha Matthew Miller, zëdhënësi i DASH.
Që SHBA ka nisur realisht punën në këtë drejtim, këtë e dëshmoi qartë edhe kërkesa që kreu i diplomacisë amerikane Antony Blinken i bëri departamentit që ai drejton për të zhvilluar një analizë të thelluar e për të dalë me alternativa lidhur me politikat mbi një njohje të mundshme amerikane dhe ndërkombëtare të një shteti palestinez pas luftës në Gazë. Në këtë nisma, SHBA ka edhe mbështetjen e Britanisë së Madhe.
Edhe ministri i jashtëm britanik, David Cameron, i tha një grupi ligjvënësish të Mbretërisë së Bashkuar se Londra, aleatët e saj dhe Kombet e Bashkuara “do ta shqyrtojnë çështjen e njohjes së një shteti palestinez”. Krijimin e një shteti palestinez, Washingtoni e ka lidhur me përpjekjet që Arabia Saudite t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin. Pas masakrës së Hamasit në 7 tetor, zërat për nevojën e një krijimit të një shteti për palestinezët me shpresën se kjo do të sjellë stabilitet në rajon, janë shtuar.
Top Channel