Europa Nostra: Muri i Portës në Durrës, një ndër shtatë objektet e rrezikuara të trashëgimisë kulturore të kontinentit të vjetër

30/01/2024 13:27

Organizata europiane “Europa Nostra” përfshin Murin e Portës në 7 objektet e rrezikuara të trashëgimisë kulturore të kontinentit të vjetër.

Ky objekt i trashëgimisë sonë kulturore është dëmtuar rëndë vitet e fundit gjatë punimeve të një kompanie koncensionare për ndërtimin e portit në Porto Romano.

Objekti i rëndësishëm është renditur në krye të listës së monumenteve dhe siteve të rëndësishme arkeologjike që rrezikohen të shkatërrohen, krahas sitit historik Amberd në Armeni, Palais du Midi në Bruksel, Strehën e punëtorëve në Francë, ishujt cikladikë në Greqi, Kisha e Shën Pjetrit dhe Sinagoga e Sienës në Itali, Shtëpia e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Serbi, Pallati Steinort në Poloni, si dhe Kisha greke e Shën Georgia’s dhe Porta e Hekurt Antioch në provincën e Hatajit në Turqi.

Qyteti i Durrësit, në brigjet shqiptare të detit Adriatik, mbart rëndësi të antikitetit ilir, grek dhe atij romak. I njohur si Epidamnos në greqisht dhe Dyrrah përgjatë periudhës romake, Durrësi është i pasur me trashëgimi arkeologjike. Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ndërthur një mur linear prej 60 metrash me një kullë që daton nga periudha romake, që të çon te porti antik Porto Romano, i cili ka shërbeyer si një nga udhët më të rëndësishme tregtare për më shumë se 2000 vjet, duke përfaqësuar një trashëgimi të vlerave europiane e cila shtrihet në të gjithë kontinentin.

I ngritur mbi rrugën antike Egnatia, monumenti arkeologjik përfshin rrënoja nga periudhat arkaike, romake dhe bizantine dhe ndihmon në sixhaden e pasur historike të rajonit. Megjithatë vendndodhja është tepër e ekspozuar, në mes të hapësirës së ngarkim-shkarkimit të portit dhe pranë vinçeve. Ndotja nga aktiviteti i portit është një tjetër kërcënim së bashku me vështirësinë e aksesimit.

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ka qenë nën mbrojtjen e autoriteteve shqiptare që nga 1948. Monumenti është nën pronësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht statusit të përcaktuar të zonës së mbrojtur, një projekt ndërtimi me qëllim zhvillimin e një porti modern ka qenë në vijimësi. Që nga viti 2020 janë vëzhguar ndërhyrje dhe shkatërrime të murit romak, duke rritur shqetësimin mbi mbrojtjen e këtij monumenti me rëndësi historike.

Nga kryqëzimi i të dhënave dhe analizave të kryera nga arkeologu Apollon Baçe dhe të raportuara nga Media Amfora në dhjetor 2023, rezulton se kompania “Porti MBM” ka shkatërruar 78 metra të murit perëndimor prej 140 metrash me makineri. Tashmë gjendet një kullë dhe muri lindor, afro 62 metra, i cili duhet të mbrohet sepse është i rrezikuar nga punimet në zhvillim e sipër.

Paneli Këshillimor i programit “7 Më të Rrezikuarit” deklaroi: “Për më se 2000 vjet, Durrësi ka mbajtur një pozicion strategjik të shtigjeve tregtare mes perëndimit romak dhe lindjes greke, pra qyteti ishte strategjikisht i rëndësishëm. Gjurmët e këtyre qytetërimeve mbetën të dukshme nëpër qytet dhe, për të mbrojtur këtë pikë strategjike, romakët nën Perandorët Anastas dhe Justinian ndërtuan një seri muresh dhe fortifikimesh prej të cilave Muret e Portës kanë rezistuar deri më sot. Statusi aktual i monumentit paraqitet i dëmtuar rëndë, me gërryerje dhe përkeqësim, si nga ndodhitë natyrore ashtu dhe nga veprimet njerëzore. Banorët e zonës kanë protestuar gjithashtu kundër zgjerimit të portit të hidrokarbureve që operon qysh prej vitit 2015 dhe që po kërcënon komunitetin e tyre.”

Nominimi në programin “7 Më të Rrezikuarit 2024” u bë nga një anëtar i Europa Nostra-s me mbështetjen e Qendrës Amfora. Programi “7 Më të Rrezikuarit” do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike për sa i përket mbrojtjes së monumentit dhe shtimit të numrit të vizitorëve. Për të ruajtur zonën e mbrojtjes dhe perimetrin e monumentit arkeologjik “Muret së Portës”, synimi është krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët. Kjo përshin krijimin e shtigjeve të ecjes, shenjave informuese, ndriçimit të duhur dhe menaxhimit të denjë të monumentit”- thuhet në njoftimin e Europa Nostra. 

 

Top Channel