U vetëmbyt në lumin Buna bashkë me tre fëmijët, çfarë e çoi Alma Arrazin në veprimin ekstrem? Sociologu: Ka pasur një zemërim të madh

08/05/2024 08:09
Alma Arrazi dhe fëmijët, Erdgys Arrazi

Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku 39 vjeçarja Alma Arrazi u vetëmbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj, ka ngjallur shumë diskutime mbi motivet që mund ta kenë shtyrë të ndjerën të merrte aktin ekstrem.

Në studion e “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top Channel ish-prokurorja Elisabeta Imeraj tha se duhet që roli i institucioneve duhet të jetë më aktiv në parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Ndërsa sociologu, Edmond Dragoti tha se nuk e sheh dot thjesht si viktimë Alma Arrazin, duke vënë në dukje aktin ektrem të ndërmarrë prej saj me sakrifikimin e tre fëmijëve.

“Unë nuk e shoh dot thjesht si një viktimë një nënë e cila guxon gjënë më të shenjtë të saj, të sakrifikojë fëmijët për shkak të një hakmarrje, për të bërë fajtor bashkëshortin. Ky është një krim makabër”- tha sociologu.

Sipas tij, një ngjarje e tillë mund të jetë shkaktuar nga një zemërim i madh i të ndjerës ndaj bashkëshortit të saj si dhe nga mungesa e vetëvlerësimit pavarësisht se kishte një moshë më të madhe sesa i shoqi.

“Për mua nuk është dhimbje sepse dhimbja nuk ka reagime deri në krim. Ky është një zemërim i madh dhe zemërimi shkakton hakmarrje. Zemërime të tilla kur janë të përfshirë me urrejtje apo me dashuri, është thjesht një hakmarrje e saj duke qenë e paaftë të gjejë zgjidhje vetë. Duke pasur një mjedi familjar që nuk e ndihmon dot. Fakti që ka pasur diferencë moshe në raport me të shoqin, duhet t’i jepte një lloj vetëvlerësimi.

Kompleksi është pamundësia për të reaguar në forma të tjera. Duke jetuar në një mjedis tepër të prapambetur. Kjo u ndodh shpesh njerëzve që nuk arrijnë dot të menaxhojnë inatin e tyre. Të arrish të sakrifikosh veten tregon papaftësi dhe dobësi por të sakrifikosh fëmijët e tu, do të thotë se po kryen një krim të pafalshëm”- shtoi sociologu.

Top Channel