Fermerët e fshatit Texcaltitlán në Meksikën qendrore, të lodhur nga zhvatja e shfrytëzimi, raportohet se u rebeluan ndaj anëtarëve të bandës dhe i ndoqën duke vrarë 10 prej tyre këtë muaj.
Më pas karteli i drogave kishte marrë peng 14 banorë lokalë duke përfshirë dhe të mitur, me sa duket në kundërpërgjigje të kryengritjes së fermerëve ku u vranë 10 anëtarë të bandës dhe katër fshatarë.
Ngjarja e rëndë ndodhi kur banorët e fshatit Texcaltitlán dhe një zone fqinje të lodhur nga zhvatjet dhe abuzimi bandave, i sulmuan anëtarët me drapër e pushkë gjuetie më 8 dhjetor, duke i goditur e duke i djegur ata.
Katër fshatarë gjithashtu u vranë gjatë përplasjes së ashpër.
Kësaj jave prokurorët thanë se bandat kishin marrë peng 14 njerëz nga fshati duke përfshirë katër të mitur. Të rriturit përfshinin tre policë që u morën nga bandat në një postbllok, shkruan the Guardian.
José Luis Cervantes, kryeprokurori shtetit meksikan në perëndim të kryeqytetit Mexico City, tha se nuk kanë marrë kërkesa shpërblesash për pengjet.
Rezidentët thanë se përgjegjës për ngjarjen është karteli i drogave ‘Familia Michoacana’ dhe kërkonte dorëzimin e drejtuesve të kryengritjes së mëhershme.
Cervantes shtonte se nuk do të ngriheshin akuza ndaj fshatarëve për përleshjen e 8 dhjetorit pasi konfrontimi ishte cilësuar “vetëmbrojtje e ligjshme” e fermerëve për pronën dhe jetën e tyre.
Grupi trafikant Familia Michoacana dominon prej kohësh në zonë dhe kishin kërkuar që fermerët të paguanin një shumë të rregullt “për mbrojtje”.
Pamje video të përplasjes janë shfaqur në rrjetet sociale ku shiheshin sulmuesit me veshje ushtarake, disa prej të cilëve me helmeta në kokë. Fshatarët dukej që kishin vënë zjarrin trupave dhe automjeteve të tyre.
Familia Michoacana njihet për sulme ndaj policisë meksikane teksa në 2022 ka masakruar rreth 20 njerëz në qytezën e Totolapan në shtetin e Guerrero, mes të cilëve dhe kryebashkiakun. /TheGuardian/
Top Channel