Modelja amerikane e rrjetit qëllohet për vdekje nga bashkëshorti disa ditë pas ‘urdhrit të mbrojtjes’

27/12/2023 16:47

Modelja e Instagram Theresa Cachuela nënë e tre fëmijëve, u shpall e vdekur nga plagët e armës së zjarrit, pas raportimeve se është qëlluar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë pasi gjykatësi dha një urdhër mbrojtjeje për 33 vjeçaren që denoncoi përndjekjen nga bashkëshorti.

Cachuela u gjet e qëlluar me armë zjarri pranë një qendre tregtare në Hawaii, tha për gazetarët oficerja e policisë vendase Deena Thoemmes.

Policia reagoi ndaj raportimeve për rrethana të dyshimta në parkingun pranë qendrës tregtare  Pearlridge Center në Honolulu. Gruaja që më vonë u identifikua si Theresa, u gjet e vdekur në vendngjarje.

Policia tha se një fëmijë i identifikuar nga një anëtar i familjes së viktimës si bija e Theresa, kishte dëshmuar ngjarjen e rëndë.

Thoemmes shtoi se asnjë person tjetër nuk u gjet në zonë.

Theresa njihej me emrin ‘Bunny Bontiti’ për më shumë se 20,000 ndjekësit e saj në rrjetin Instagram.

Ish-bashkëshorti i saj Jason Cachuela ishte larguar nga vendngjarja dhe më pas u gjet i vdekur në një zonë prapa rezidencës, teksa në dukje kishte kryer vetëvrasje.

Thoemmes tha se hetimet vazhdojnë por vrasja nuk është një akti rastësishëm pasi viktima dhe i dyshuari ishin të martuar.

Disa ditë më herët gjykatësi kishte dhënë një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje ndaj bashkëshortit të 11 viteve të viktimës, tregojnë dokumentet e gjyqit.

Sipas peticionit të së ndjerës për urdhrin e mbrojtjes që u depozitua më 8 dhjetor, Cachuela kishte kërcënuar të vriste veten para gruas dhe fëmijëve të saj.

Gruaja shtonte se ai e kishte kërcënuar duke i mbajtur thikën në grykë, çka e kishte lënë të traumatizuar e të tmerruar.

Theresa raportonte se më vonë bashkëshorti i kishte kërkuar ndjesë, por kishte vijuar me kërcënimet e vetëvrasjes.

Cachuela kishte marrë një tjetër paralajmërim nga policia më 19 dhjetor, dhe një urdhër ndalim afrimi e komunikimi për një vit.

Nëna e viktimës Lucita Ani-Nihoa, tha për rrjetin lokal të NBC KHNL Honolulu, se ajo kishte shkuar të takonte të bijën në qendrën tregtare Pearlridge Center kur mësoi se e kishin qëlluar, dhe se e bija 8-vjeçare kishte parë ngjarjen e rëndë.

Nëna e viktimës shtonte se gruaja ishte abuzuar nga bashkëshorti dhe kishte marrë ndihmë nga agjencitë për ndihmë ndaj viktimave të dhunës shtëpiake, shkruan rrjeti  Ani-Nihoa.

FOTO GALERI
2/5
Ish-bashkëshorti i saj Jason Cachuela ishte larguar nga vendngjarja dhe më pas u gjet i vdekur në një zonë prapa rezidencës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA