Emri/ Dyshohet i përfshirë në vrasjen në Peqin, Gjykata lë në arrest shtëpie shefin e policisë së burgut të Drenovës

26/12/2023 19:16

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar shefin e policisë së burgut të Drenovës, Mariglen Kadiun.

Sipas informacioneve ai dyshohet se është përfshirë në ngjarjet e fundit të ndodhura në burgun e Peqinit.

Sipas gazetares së Top Channel, Dhorjela Çule, ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata, ndërsa pritet informacion zyrtar nga Shkb lidhur me rastin.

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrest në burg, ndërsa gjykata vendosi masë arrest në shtëpi për shkak se i akuzuari ka një fëmijë autik.

Kadiu ka marrë detyrën e shefit të policisë në IEVP Drenovë rreth 8 muaj më parë, ndërsa ka ushtruar të njëjtin funksion në burgun e Peqinit prej vitesh.

Kujtojmë se më 15 dhjetor brenda burgut të Peqinit, Sokol Mjaçaj, i dënuar me burgim të përjetshëm vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe la të plagosur Indrit Shaqen, ndërsa ende nuk dihet se si u fut arma në ambientet e burgut.

I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA-s, të cilët vunë nën kontroll situatën.

Në lidhje me këtë ngjarje Gjykata e Elbasanit  vendosi masën “arrest në burg” për 11 prej policëve të burgut, mes tyre edhe drejtorin  Kamber Hoxha, ndërsa vetëm për një zyrtar vendosi masën detyrim paraqitje.

Top Channel