Vrasja në burgun e Peqinit/ Gjykata vendos “arrest në burg” për 11 prej të arrestuarve, njëri prej tyre “detyrim paraqitjeje”

19/12/2023 16:05

Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjaçajn, i cili vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjën në ambientet e burgut të Peqinit ku të tre vuanin dënimin me burgim të përjetshëm.

Mjaçaj akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, mbajtje dhe prodhim i armëve dhe futje e armëve në një ambient burgu.

Po kështu, gjykata vendosi “arrest me burg” për Kamber Hoxhën me detyrë drejtor i burgut të Peqinit dhe 10 punonjës te këtij burgu, njëri prej tyre për shkak të rrethanave familjare është lënë në detyrim paraqitje. Zyrtarët dhe efektivët e burgut të Peqinit po hetohen për shpërdorim detyre.

Ne dëshminë e tij para trupit gjykues, Drejtori i Burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, ka deklaruar se prej ditës kur ka marrë detyrën ka këmbyer shkresa të vazhdueshme për mosfunksionimin e shumë sektorëve në burgun e Peqinit, mes tyre edhe sistemi i mbikëqyrjes dhe kontrollit. Hoxha ka shkuar deri aty sa para trupit gjykues ka deklaruar se institucioni i ekzekutimit dhe vuajtjes së dënimit ishte shndërruar në hotel.

Hoxha tha se Sokol Mjaçaj u dorëzua vetëm pas shumë tentativave. Nga ana tjetër, shefi i policisë së burgut Gani Muça dëshmon se nuk kishte dijeni për armën që mbante Sokol Mjaçaj, por pranon se në mungesë të grupit të sigurisë të dënuarit nuk janë kontrolluar teksa kane dale për ajrosje. Ai shton se nuk ishte në dijeni të një konflikti mes dy të dënuarve Sokol Mjaçaj dhe Arben Lleshi.

Ilir Balla dhe Indrit Dubali janë dy punonjësit e burgut, të cilët janë ndodhur në vendngjarje në momentin e krimit. Ata janë kërcënuar me armë nga i dënuari Sokol Mjaçaj.

Në dëshminë e tij, Ilir Balla thotë: “Nuk e kuptova çfarë ndodhi por vura re shtetasin Sokol Mjaçaj me armë në dorë, të cilin pasi tentova ta neutralizoj, më drejtoi pistoletën në gjoks duke më thënë mos u afro se po lëvize edhe një hap do të vras, nuk kam punë me ty, dhe menjëherë u nis te dera e ajrimit e cila të nxjerr te kuzhina dhe iu drejtua me armë kolegut Indrit Dubali, duke i thënë hap derën se të vrava”.

Më tej, punonjësi Indrit Dubali thotë se ishte i detyruar të hapte derën nën kërcënimin e armës.

“Në momentin që hapa derën ai vrapoi rreth vendit ku bëhen takimet dhe kuzhina, nuk dinte ku të shkonte, kërkonte një mënyrë për t’u arratisur“, thotë Dubali në dëshminë e tij.

Vrapova pas tij me dy të burgosur të tjerë për ta ndaluar. Nuk dëgjoi thirrjet dhe u fut direkt ne korridorin e takimeve dhe tërhoqi derën nga brenda por nuk e mbyllte dot. Kërkonte takim vetëm me Prokurorin e Përgjithshëm vijon në dëshminë e tij Dubali.

Në dëshmitë e punonjësve të burgut, përmendet edhe një vajzë e cila i sillte ushqimet Sokol Mjaçajt, Ilda Rrapo herë ishte prezantuar si mikesha e Mjaçajt dhe herë si kushërira e tij.

Sokol Mjaçaj vuante dënimin e përjetshëm në burgun e Peqinit pas vrasjes se dy turistëve çekë në vitin 2015 në Prekal të Shkodrës.

Top Channel