Pas investigimit të Fiks Fare, ku sekretari i këshillit të Bashkisë, Fitim Balla dhe administratori i komunës Ostren të Bashkisë Bulqizë, Luan Mjeshtri, vëllai i kryetares së Bashkisë së Bulqizës, vuloste vërtetime për banorët e Ostrenint për kombësi Bullgare, por jo vetëm, burime pranë Prokurorisë së Dibrës bëjnë më dije se personat përgjegjës janë thirrur në Prokurorinë e Dibrës.
Ndërkohë sot është thirrur edhe Këshilli Bashkiak për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak Fitim Balla si dhe administratorin e Njësisë Ostren, Luan Mjeshtri.
Fiks Fare vërtetoi mbrëmjen e djeshme me zë e figurë se sa e lehtë është të blesh një vërtetim të origjinës bullgare në Ostren të Bulqizës, pa pasur rëndësi se çfarë origjine ke. Kundrejt 100 mijë lekëve Fiksi bleu dy të tilla të firmosura dhe vulosura nga administratori i Ostrenit, Luan Mjeshtri.
Vërtetimet u morën duke dorëzuar fotokopje certifikatash, të një banori të Patosit, me gjyshër nga Njësia Administrative Trebisht dhe të dytin për një banorë të Stërblevës, me gjyshër po nga Stërbleva e Librazhdit. Origjina e dy familjeve nuk kishte asnjë lidhje me Njësinë Administrative Ostren.
“Srukturat hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se disa shtetas, punonjës të njësisë administrative Ostren dhe të bashkisë Bulqizë, dyshohej se falsifikonin dokumente, me qëllim pajisjen e qytetarëve, me vërtetime, në kundërshtim me ligjin, më datë 12.10.2023 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike'”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si pasojë ranë në pranga 62-vjeçari Luan Mjeshtri, banues në Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, A. L., 33 vjeç, banues në Ostren, me detyrë specialist i Shërbimit Social, në njësinë administrative Ostren dhe 61-vjeçari Fitim Balla, banues në Trebisht, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në bashkinë Bulqizë.
Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për hetime të mëtejshme me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të implikuar në të, ndërsa kanë kanë falenderuar gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare”.
Top Channel