191 mjekë, shumica dërrmuese mjekë të rinj, kanë aplikuar në Programin e Strehimit Social për kreditë me zero interes me qëllim blerjen e një banese për punonjësit e administratës që prej hapjes së aplikimeve më 16 shtator.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka deklaruar se nga verifikimi i dokumentacioneve, u vlerësuan si fitues 85 mjekët e parë, të cilët janë kualifikuar për të përfituar vijuar më tej procedurat.
Sipas Koçiut, dëshira dhe ambicja për 2024-rën është shumë më e gjerë se rritja e pagave apo përmirësimi i kushteve të punës.
“Unë besoj se ky është një moment fantastik për të pritur festat e fundvitit dhe ku ka më mirë se sat ë jemi të gjithë së bashku në një tribunë mirënjohje do të thoja unë për të gjithë ata gra dhe burra, vajza dhe djem që punojnë çdo ditë në shërbim të komunitetit, në shërbim të sigurisë, në shërbim të mirëqënies së qytetarëve.
Vendimi që kemi marrë para disa muajsh për të mbështetur mjekët, policët dhe ushtarakët përmes këtij programi të ri social, ecën në linjë me ambicien madhore që ne kemi për të fuqizuar akoma më shumë dinjitetin, statusin dhe respektin për profesionistë si ju edhe për profesionistët e nderuar që meritojnë një respekt të veçantë.
Ky është një hap i ri, drejt kapërcimit të atij hendeku të thellë që ka ekzistuar për një kohë të gjatë midis shpërblimit të merituar dhe atij të ofruar.
2023-shi nisi me rritjen më të madhe historike të pagave, vijoi me hedhjen e themeleve për autonomisë spitalore, e cila në fakt është një program që do vijojë të shtrihet më tej dhe të detajojë akoma më shumë me ritëm dinjitetin, dhe vlerën, dhe respektin për gjithësecilin prej jush.
Do të vazhdojmë dhe do ta përmbyllim me zotimin për të rritur akoma më tej në mënyrë të konsiderueshme pagat për mjekët e familjes dhe infermierëve në 2024-n. Megjithatë, ambicia jonë është shumë më i gjerë se rritja e pagave apo përmirësimi i kushteve të punës.
Mbështetja jonë shtrihet 360% grade që nga moment kur mjekët ulen për herë të parë në Universitetin e Mjekësisë dhe derisa mbyllin karrierën e tyre.
Pjesë e kësaj qasjeje është edhe mbështetja për të blerë banesën e parë dhe për të krijuar strehën e re familjare.
Siç ministri i Financave evidentoi, pas miratimit të ndryshimeve të ligjit për “Strehimin Social” në Kuvend në qershor të këtij viti, Programi i Strehimit Social për kreditë e lehtësuar për blerjen e një banese për punonjësit e administratës u hap në datën 16 shtator.
Njoftimi për aplikim për 100 kuota për kategorinë mjekë, u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe procedura e aplikimit u bë tërësisht online nëpërmjet portalit e-Albania.
Në vijim, ne ngritëm një Komision i cili i shqyrtoi të gjithë dokumentacionin dhe çdo aplikim që kishte arritur pranë ministrisë, dhe nga 191 aplikime për kategorinë mjekë, shumicë dërrmuese ishin mjekë të rinj, jam e lumtur të bëj me dije se u vlerësuan si fitues 85 mjekët e parë të cilët janë kualifikuar për të përfituar vijuar më tej procedurat.
Lajm tjetër i mirë është që ky është vetëm viti i parë i zbatimit të këtij programi, që falë buxhetit të vitit 2024, do të vijojë për të shpërblyer më tej të gjithë ata profesionistë të tjerë për të cilët Shqipëria ka kaq shumë nevojë.
Zonja dhe Zotërinj,
Mjekë që kanë themeluar mjekësinë shqiptare, e që studiuan në Francë, Itali, Gjermani, Austria, Turqi, në vitet 1920-30, emra të nderuar e të pavdekshëm si Shefqet Ndroqi, Frederik Shiroka, Koço Glozheni, Sotir Polena, e shumë të tjerë, përfituan në masë nga mbështetja edhe pse e një shteti jashtëzakonisht të varfër në fillimet e tyre,
Shumë prej tyre, shteti i atëhershëm i mbështeti me bursa, disa me shtëpi, e me statuse e privilegje të tjera.
Për fat të keq, në tranzicionin shqiptar, për shumë kohë e humbëm principin e mirënjohjes ndaj atyre që meritojnë më shumë dhe këta janë mjekët, ata që ishin më të keqpaguarit, më të mbingarkuarit, më të braktisurit nga shteti në të gjithë Evropë.
Edhe më keq, specializantët, u lanë pa pagesë, madje për ta shteti u kujdes të mbyllte dhe specializimet duke i lënë edhe pa punë. Për fat të mirë, kjo kohë i përket të shkuarës së pakthyeshme!
Jam e lumtur sepse çelja sot e këtij program, e vendos në një piedestal të ri marrëdhënien shtet-mjek!
Megjithatë, ne jemi të vendosur të bëjmë akoma më shumë për të përligjur pritshmëritë tuaja dhe ato të qytetarëve.
Vizioni i Kryeministrit Edi Rama, qeverisë sonë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është i një Shqipërie që ofron standarde europiane dhe një pikënisje të barabartë për të gjithë.
Është ai i një vendi ku të gjithë qytetarët do të mund të sigurojnë një jetë të mirëqënie dhe të bëjnë diferencën vetëm përmes talentit dhe punës.
Si dhe ai i një shoqërie, ku profesionistët të jenë gjithmonë të respektuar dhe vendosur në pozitën dhe prestigjin që ata meritojnë, që ju meritoni.
Dëshiroj t’a mbyll fjalën time duke ju falenderuar, duke ju uruar me zemër festa të gëzuara dhe mbi të gjitha, duke ju uruar gëzuar të gjitha familjeve të reja të cilat do të përfitojnë një banesë të re dhe do ta gëzojnë vitin 2024 në shtëpitë e tyre të reja”- tha Koçiut.
Top Channel