Foto Ilustruese

Nga Irani tranzit nëpër Shqipëri drejt vendeve të Bashkimit Evropian, një aksident nxjerr në pah vazhdimin e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë të emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Një 19-vjeçar nga Tirana u përplas nga një automjet tjetër teksa po transportonte drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, 6 emigrantë nga Irani, që synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi, në kundërshtim me ligjin. Policia organizoi operacionin e koduar “Interrupt” duke çuar në pranga jo vetëm 19-vjeçarin, po dhe një 28-vjeçar nga Lushnja pasi me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte 19-vjeçari dhe një automjet tjetër.

Policia e Durrësit bëri me dije se bazuar në informacionet e siguruara për një rast të transportimit kundrejt pagesës, të emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht kufirin, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës organizuan operacionin policor të koduar “Interrupt”.

Gjatë tij u arrestua në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi Olsi Elezi, 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se po transportonte drejt Shkodrës, kundrejt pagesës 300 euro për secilin, 6 emigrantë nga Irani, të cilin synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.

Gjithashtu, në pranga u vu dhe Ervin Goduni, 28 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në aksin rrugor “Durrës-Tiranë”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin me të cilin shtetasi O. Elezi po transportonte emigrantët dhe një automjet tjetër. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar Olsi Elezi dhe njëri nga emigrantët, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq materialet për hetimet e mëtejshme i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA