Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur pak minuta para fillimit të shqyrtimit nga Komisioni i Mandateve të imunitetit të tij të deputetit ka shpallur fillimin e revoltës në rrugët e Tiranës.
PD, sipas Berishës, është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës dhe demokratët të betuar për të bërë gjithçka për shembjen e monodiktaturës.
“Jam këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj në çdo skaj të këtij vendi. PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Sot çdo demokrat dhe demokrate e vërtetë ndihet një luftëtar dhe luftëtare i/e lirisë, i/e betuar për të bërë gjithçka për shembjen e monodiktaturës, të regjimit që ju grabit votën shqiptarëve, u kontrollon vullnetin shqiptarëve. Për shembjen e regjimit që i vjedh ata sa kurrë ndonjëherë. Për shembjen e regjimit që asgjesoi parlamentin pluralist”- tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se, sot do jemi luftëtarët e parë në rrugë, sepse edhe në vitin 1997 nisi beteja me 30 veta, por fituam zgjedhjet.
“Larot e Edi Ramës sot paraqiten për të kërkuar legjitimimin e vendimit të tyre antikushtetues, sepse unë e kundërshtova këtë vendim të puçit, marrjen e pushtetit të parlamentit përmes mercenarëve në gjykata dhe prokurori. Sot këta prokurorë paraqiten në parlament si përfaqësues të Edi Ramës mbi kushtetutën, pushtojnë institucionin qëndror. Grupi parlamentar i PD-së ju adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por për të mbrojtur Kushtetutën.
Në këto rrethana Rama dhe larot e tij vrapuan drejt Parlamentit për të kërkuar zëvëndësimin e masave në masë më të rëndë arrest me burg ose arrest shtëpie. Ky është poshtërim i Parlamentit. Ndaj unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision të pranoja një poshtërim të tillë. Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë të lirisë.
Me këtë miting shënoni ngjarjen historike që shënuan një grusht i vogël demokratësh në shtator të 1997 në protestë për të dëshmuar se ishin të pa mposhtur. Sot nuk jemi 30, as 50 por qindra herë më shumë. Jemi në mision të njëjtë. Në atë kohë asnjëri nuk po protestonte për sali berishën por për idealet e lirisë. Edhe sot jemi këtu për idealet e lirisë, në një kthesë që na fton historia“- tha Rama.
Top Channel