Gazetarja e Top Channel u vlerësua me çmimin “Gazetarja e vitit“ nga Gazeta “Koha Jonë” që bazuar në sondazhet e përvitshme, shpalli çmimet në fushën e gazetarisë, politikës dhe biznesit.
Nikoll Lesi tha se gazetares Anila Hoxha i akordohet çmimi për saktësinë dhe profesionalizmin.
“Ajo që i duhet një media në lajme, në titujt kryesor dhe editoriale është saktësia dhe kurajoja, përshkrimi bukur dhe origjinaliteti, stili konçiz, përmbledhje e zgjuar dhe prapë e përsërisim, saktësi, saktësi, saktësi. Dhe këto cilësi i ka fituesja e çmimit “gazetarja e vitit” Anila Hoxha dhe Top Channel, e cila për 20 vite si gazetare nuk ka pasur asnjëherë përgënjeshtrim për lajmet e saj”- tha botuesi Nikoll Lesi.
Falenderuese për vlerësimin, gazetarja Hoxha uroi që çdo gazetar i cili ushtron këtë mision fisnik në Shqipëri, të vazhdojë të jetë i paanshëm në shërbim të misionit të tij dhe për publikun.
“Faleminderit. I nderuar zoti President, zoti Lesi të dashur kolegë, jo gazetarë por dashamirës të medies, faleminderit. Mua nuk më jepet shumë për fjalime, por i uroj çdo gazetari që ushtron këtë mision fisnik në Shqipëri që të vazhdojë të jetë i paanshëm në shërbim të misionit të tij dhe për publikun, mbi bazën e fakteve dhe gazetarë deri në fund. Ju uroj edhe miqëve jo gazetarë që të vijojnë të jenë dashamirës të medies dhe të ndihmojnë gazetarët në misionin e tyre. Faleminderit”– u shpreh Anila Hoxha.
Çmimi për politikanin me të mirë ju dha presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Top Channel