Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian, Eurostat ka vlerësuar vlerën e remitancave që hynë në Shqipëri si nivelin më të lartë të dekadës së fundit.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se dërgesat apo transfertat personale dhe të të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë Shqipërisë arritën në 1.2 miliardë euro gjatë vitit 2022, një rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë.
Punësimi jashtë vendit i shqiptarëve përfshin edhe punësimin sezonal dhe atë afatshkurtër, si dhe dërgesat e emigrantëve që prej vitesh punojnë e jetojnë jashtë Shqipërisë.
Pavarësisht se Eurostat nuk i ka pasqyruar ende dërgesat për vitin 2023, Banka e Shqipërisë me të dhënat e saj tregon se rritja e remitancave ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2023. Për 9-mujorin e parë, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga puna e tyre arritën në 1.05 miliardë euro, në rritje me 16.3%.
Ciklit të ri të rritjes së remitancave i ka dhënë shtysë emigrimi i dekadës së fundit, duke i bërë dërgesat nga jashtë një burim të rëndësishëm për të ardhurat e familjeve shqiptare dhe një zë me peshë të konsiderueshme në bilancin e pagesave të vendit.
Top Channel