Elbasan/ Mbante pistoletë pa leje, në pranga 27-vjeçari! I sekuestrohet municion luftarak dhe makina

13/12/2023 09:12

Një 27-vjeçar nga Prrenjasi ka rënë në pranga pasi qarkullonte me pistoletë me vete, pa leje, në Elbasan.

Në fshatin Shijon, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. C., 27 vjeç, banues në Prrenjas, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur armën e zjarrit pistoletë.

Më pas gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë kanë gjetur municion luftarak dhe një palë dylbi.

Arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, dylbitë dhe automjeti që drejtonte 27-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Në vijim të kontrolleve që kryhen në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Distanca'”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA