Pas 3 vitesh hetime për inceneratorin e Tiranës dhe pas sekuestos së kompanisë koncesionare, Gjykata e Posaçme ka nxjerrë 15 masa sigurie për zyrtarë të Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Mjedisit dhe komisionit të dhënies se koncesionit.
Kjo pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe në gjatë fazës së zbatimit të kontratës koncesionare, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin. Gjatë mbrëmjes së djeshme në pranga ranë vetëm 4 persona mes tyre dhe drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha
Fillimisht është faktuar se firma Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar 128 milionë Euro ka pronarë de fakto Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin të cilët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët. Zoto, në bashkëpunim me Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409 milionë lekë dhe pjesë e madhe e këtyre parave janë tërhequr në kesh dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit.
Zoto dhe Mërtiri kanë ndikuar edhe në QKB duke kryer shkelje ne regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues duke vënë emrat e 3 italianëve. SPAK ka vërtetuar se kompania e tyre ishte paracaktuar se do të shpallej fituese e këtij koncesioni.
Shkelja e parë lidhet me dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë “Integrated Energy BV” ”nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesioni dhe zyrtarë të ministrisë së mjedisit pavarësisht se nuk ka pasur një raport përmbledhës dhe nuk ishin sqaruar kostot e projektit.
Sipas SPAK shoqëria propozuese ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese dhe është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit me objekt: Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka,ka miratuar vazhdimi e procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarde të Koncesionit nga ana e Komisionit i cili rezulton se nuk ka mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e tyre.
Përllogaritjet e kostove në studimin e fizibilitetit komisioni i ka marrë nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.
Me anë të të dhënave fiktive kompania, ka rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton duke ndikuar kështu negativisht në buxhetin e shtetit.
Sipas SPAK Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar 120 mijë Euro, nga Klodian Zoto me anë të shitjes së makinerive të fabrikës së birrës të të atit. Po ashtu, rezulton se Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i ka kërkuar Zotos punësimin fiktivisht të Vladimir Bezhani, gjatë kohës që ky i fundit ishte Këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Mjedisit, duke përfituar kështu rreth 7 milionë lekë nga paga.
Bezhani ka shërbyer “urë lidhëse” për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit.
Lefter Koka, Ish-Ministër i Mjedisit
Alqi Bllako, Ish-sekretar i përgjithshëm
Pëllumb Abeshi, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Erjon Murataj, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Taulant Tusha, Drejtor i punëve publike bashkia Tiranë
Namik Simixhiu, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit
Etleva Kondi, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Jetmir Llapaj, Punonjës i Qendrës Kombëtare të Biznesit
Klodian Zoto, përfituesi i koncesionit
Mirel Mërtiri, përfitues i koncesionit
Valbona Ballgjini, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit
Sidrit Kopliku, Anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit
Silena Tola, Punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit
Top Channel