Kongresi i PS/ Balluku: Linjë nënujore transmetimi Shqipëri-Itali! Mete: Bonus këtë muaj edhe për shtresat vulnerabël

08/12/2023 13:23

Projektet për energjinë, turizmin, kulturën dhe bujqësinë u prezantuan në panelin e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, prezantoi projektin ambicioz për ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Me ndihmën e BE-së kemi arritur të kemi konkretisht projekte sa i përket prodhimit solar dhe atij eolik, plan afatgjatë për diversifikimin që në vitin 2030 Shqipëria t’i shtojë prodhimit 4 terrawat, duke e kthyer vendin nga vend imoportues në vend eksportues neto, këto nuk janë plane, por projekte të mirëfillta, ashtu siç para pak ditësh kemi rënë dakord me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit, duke përfshirë një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë vendosur të jenë pjesë, projekti energjetik më i rëndësishëm për dekadën e ardhshme, ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë, unë e di që kundërshtarët tanë shpeshherë mërziten, ata nuk arritën t’i bënin kurrë sepse ishin shumë të zënë me zullumet e tyre, për ne shqetësimi i kundërshtarëve nuk na ka shqetësuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shumë plane për të ardhmen”, tha Balluku.

Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të objektivave të lidhura me turizmin tha se 9.53 milionë është shifra e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë deri në prag të fundvitit.

Krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2022, është shënuar një rritje me 33%, sipas shifrave të bëra të ditura sot, theksoi ajo.

“Muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53%) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairet ndërkombëtare Fitur- Madrid dhe ITB-Berlin në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit për vitin 2025 me një program promovues njëvjeçar”, sipas Kumbaros.

Ministri i Financave, Ervin Mete, u ndal te buxheti i vitit 2024, që sipas tij, synohet të përkthehet në mirëqenie të shtuar për qytetarët. GDP-ja parashikohet të jetë dyfish më e lartë në vitit e ardhshëm, krahasuar me 10 vite më parë.

“Vitin e ardhshëm presim të kemi më shumë se sa dyfishim të GDP-së, prodhimit të brendshëm bruto në raport me 10 vite më parë. Kjo do të përkthehet në më shumë të ardhura për frymë, më shumë mundësi zhvillimi dhe punësimi cilësor.

Me buxhetin e 2024, dyfishohet buxheti për reformën në drejtësi, krahasuar me vitin 2016 kur filloi kjo reformë, duke e çuar në mbi 260 milionë euro. Ashtu sikurse financohet financimi, mbrojtja, pushteti vendor. E bëjmë këtë duke arritur në të njëjtën kohë të ulim borxhin publik nën 60%, për herë të parë që nga 2011”.

Nga Kongresi, ministri i Financave njoftoi një paketë për mbështetjen e shtresave vulnerabël që do të jepet brenda këtij viti. Njësoj si bonusi për pensionistët në fundvit, pritet të jepet një shpërblim për të gjitha kategoritë e tjera vulnerabël.

“Jemi në diskutim për një paketë tjetër mbështetjeje për shtresat vulnerabël brenda këtij viti, ashtu siç jemi të angazhuar në një diskutim të thelluar si mes nesh ashtu edhe me partnerët, Bankën Botërore dhe FMN për një reformë të pensioneve dhe të shtyllave të mbrojtjes sociale në tërësi sepse kemi detyrimin që këtë moment të mirë zhvillimi dhe rritjeje ekonomike ta përkthejmë edhe në mbështetje për këto shtresa në nevojë”.

Shqipëria evropiane 2030 është ajo për të cilën ne angazhohemi dhe punojmë, shtoi Mete.

“Një lajm shumë i mirë është plani i rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të akordohen nga BE afro 6 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish të buta për të gjithë rajonin, për të mbështetur avancimin e reformave dhe përshpejtimin e integrimit, me synimin që në vitin 2030 të arrihet konvergjenca ekonomike me BE dhe të arrihet që e njëjta mbështetje për frymë që u jepet qytetarëve të BE të mund tu jepet edhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”.

Pjesë e panelit ishin Belinda Balluku, Ervin Mete, Mirela Kumbaro, Anila Denaj Elva Margariti.

FOTO GALERI
16/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA