Ka një handikap për mënyrën si SPAK u beson të penduarve të drejtësisë, u shpreh analisti Elton Qyno në “Top Story”, duke treguar rastet kur dëshmitarët kanë gënjyer para prokurorëve.
I riu Klevis Alla, si i penduar i drejtësisë, ka gënjyer në të gjashta dëshmitë e tij para prokurorëve, sipas Qynos.
“Ka qenë dëshmitari i parë që ka gënjyer në të gjashtë procesverbalet, ka gënjyer prokurorët e Durrësit dhe SPAK-ut. Ai u vetëdorëzua, por para se të dorëzohej ka zhvilluar një takim me Dumanin në shtëpi. Kur e pyetën prokurorët e SPAK se përse gënjeu, tha se ka kërcënuar Nuredin Dumani”.
Alla, me qëllim, ka fshehur disa nga personazhet e krimit dhe ka treguar vetëm një pjesë të tyre, shtoi analisti.
“Ka treguar për vrasje dhe nuk ka treguar as Henkrik Hoxhën, as Dumanin, por Talo Çelën e personazhe të tjerë. Ishte një dëshmitar për të ngritur ngjarje të tjera”.
Ish-prokurori Eugent Beci, shpjegoi ligjin për të penduarit e drejtësisë. I penduari ka 30 ditë kohë të rrëfehet. Në rastin e parë kur prokuroria vërteton se i penduari ka fshehur ose shtrembëruar të vërtetën, marrëveshja prishet.
“Duhet të japësh shpjegime për çdo ngjarje që ke, me një kusht që duhet t’i thuash brenda 30 ditëve, sipas ligjit. S’ka shto miell e shto ujë. Nëse del qoftë një episod ndryshe, marrëveshja prishet. Nuk mund ta mbash dy vite. Pendimi nënkupton një njeri që do të tregojë gjithçka dhe nëse nuk i tregon brenda 30 ditëve, do të thotë që po i sajon, ose nuk i di mirë, ose ka qëllime të tjera”.
Top Channel