Me ardhjen e periudhës së reshjeve, pjesa më e madhe e banorëve janë larguar nga Oboti.

Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, i gjithë fshati ishte nën ujë ndërsa sivjet situata deri tani duket më e qetë pavarësisht se frika e përmbytjeve është prezente.

Në zonë tani, ka shumë pak lëvizje.

Ndreke Çukaj, ka disa ditë që është rikthyer tek shtëpia e tij, dhe do të largohet sërish për t’u kompletuar me letrat italiane.

“Kam ardhur prej 1 muaji dhe tani do të shkoj prap në Itali, të bashkohem me fëmijët. Ky ujë me thënë të drejtën është i mërzitshëm. Prandaj kanë ikur edhe fëmija sepse nuk ke garanci të mbjellësh sepse ti merr uji. Të rri kot? Jo prandaj mërzitem dhe do të rri pak në Itali pak këtej”, tha Çukaj.

Në rrugë takojmë Tomë Markun, një i moshuar i cili po kthehet nga Shkodra.

“Për me marrë do ilaçe. Nuk i gjeta hiç. Kam 2 ditë andej nuk i gjej. 84 vjeç jam”, tha Marku.

Edhe 84-vjeçari duket i penduar, pasi i ka thënë jo Amerikës.

“Kanë ikur të gjithë. Nuk ka mbetur askush. Shiko shtëpiat janë të gjitha bosh. Unë për mend e kokës jam këtu se edhe unë isha i ikur. Kam qëndruar 6 herë në Amerikë, me dokumente me të gjitha. U riktheva në shtëpinë time. I dogja edhe letrat amerikane”, u shpreh Marku.

Përmbytjet e njëpasnjëshme kanë detyruar banorët ta braktisin këtë fshat dhe dëshmi është një shkollë e rikonstruktuar nga Top Channel, për t’i ardhur në ndihmë nxënësve. Fëmijët, të cilët sot janë të gjithë në emigracion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA