Shqipëria përkujton sot më 29 Nëntor, 79-vjetorin e Çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.
Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.
Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, sot u zhvilluan homazhe për të përkujtuar 79-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.
Të pranishëm gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve ishin Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, personalitete të shquar si dhe shumë qytetarë.
Edhe sot në këtë ditë kuqezi, Top Channel uron gëzuar të gjithë shqiptarëve.
Top Channel