Dita e dytë e armëpushimit Izrael-Hamas, pritet lirimi i më shumë pengjeve

25/11/2023 10:28

Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, pritet që sot të shkëmbejë më shumë pengje me të burgosur që po mbahen në Izrael në ditën e dytë të një armëpushimi, i cili ka mundësuar dërgimin e ndihmave tejet të nevojshme humanitare në Rripin e Gazës, pas shtatë javëve luftimesh të pareshtura.

Në ditën e parë të armëpushimit katërditor, Hamasi i liroi 24 prej 240 pengjeve që i mori gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, i cili edhe e nxiti këtë luftë, ndërsa Izraeli i liroi 39 palestinezë nga burgjet e veta.

Të liruarit nga Gaza ishin 13 izraelitë, 10 shtetas tajlandezë dhe një shtetas filipinas.

Gjatë katër ditëve, Hamasi duhet t’i lirojë së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë.

Izraeli ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet për një ditë shtesë për çdo 10 pengje shtesë të liruara.

Armëpushimi që nisi të premten në mëngjes u solli 2.3 milionë palestinezëve pakëz qetësi nga bombardimet e pareshtura izraelite, si pasojë e të cilave janë vrarë mijëra njerëz dhe janë rrafshuar ndërtesat e banimit, ndërsa tri e katërta e popullsisë u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e veta.

Edhe sulmet raketore të luftëtarëve të Hamasit nga Gaza drejt Izraelit u ndalën.

Për Emad Abu Hajerin, një banor në kampin e refugjatëve Xhabalia në Qytetin e Gazës, armëpushimi nënkupton mundësi që ai të gërmojë në rrënojat e shtëpisë, e cila u rrënua nga një sulm ajror izraelit.

Ai i gjeti trupat e një kushëriri dhe nipi, duke bërë që numri i familjarëve të vrarë të shkojë në 19. Ai e rinisi gërmimin të shtunën, në kërkim të motrës dhe dy të afërmve të tjerë të zhdukur.

“Dua t’i gjej ata dhe t’i varros me dinjitet”, tha ai.

Kombet e Bashkuara thanë se pauza ua ka mundësuar ta rrisin sasinë e dërgesave të ushqimit, ujit dhe ilaçeve në shkallën më të lartë prej se nisi dërgimi i ndihmave humanitare në Gazë më 21 tetor.

Për herë të parë pas një muaji, ndihmat arritën në veri të Gazës, i cili është fokusi i ofensivës tokësore të Izraelit. OKB-ja dërgoi miell në dy ndërtesa ku janë duke u strehuar njerëzit e zhvendosur nga luftimet.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta vazhdojë luftën derisa ta shkatërrojë Hamasin, t’i japë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Gazë dhe t’i lirojë të gjitha pengjet.

Ofensiva e Izraelit i ka vrarë më shumë se 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Më shumë se 6.000 të tjerë janë zhdukur, sipas saj.

Izraeli thotë se i ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, por pa dhënë prova për këtë numër.

Ndërkohë, si pasojë e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit u vranë 1.200 njerëz më 7 tetor, thonë zyrtarët izraelitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA