Me përfundimin e ndeshjeve kualifikuese janë përvijuar zyrtarisht edhe vazot e shortit për fazën e grupeve të kampionatit europian Gjermani 2024.
Ashtu siç edhe pritej që me sigurimin e kreut të grupit Shqipëria ndodhet në vazon e dytë, një arritje kjo madhështore, por që duke parë ecurinë e kualifikueseve ku përcaktimi i vendit në vazo varet nga pikët në grupet kualifikuese, shumë ekipe të mëdha janë renditur në vazot më të ulëta pra të tretën apo të katërtën, çka do të thotë se jo domosdoshmërisht Shqipëria do të ketë kundërshtarë më të lehtë të paktën në letër.
Natyrisht, vazoja e parë është ajo e pëshave të rënda, më të mirat. Franca mbi të gjitha, pasi edhe skuadra e dytë e Deschamps mund të garojë me gjithë kombëtaret e tjera. Përkrah saj Spanja që ka kualitet, mentalitet dhe lojë të një tjetër niveli dhe më pas një Portugali e pasur me talente, Anglia për të cilën në Europian vlen shprehja “tani ose kurrë” dhe Gjermania që pavarësisht një momenti të errët mbetet gjithmonë Gjermania. Në grup është dhe Belgjika që në kualifikuese është e jashtëzakonshme por në fazën finale ka shfaqur limite.
Shqipëria do të ketë kundërshtar në grup njërën prej tyre, me kuqezinjtë që ndodhen në vazon e dytë bashkë me Danimarkën, Hungarinë, Austrinë, Rumaninë dhe Turqinë. Të gjitha skuadra të forta por që nuk përbëjnë ndonjë privilegj të madh që Shqipëria nuk do t’i ketë kundërshtarë në short, sidomos nëse hedh sytë te vazot e tjera.
Vazo e tretë në fakt ka kundërshtarë më të rrezikshëm pasi niveli i skuadrave mund të konsiderohet edhe më i fortë se ai i vazos së dytë. Kroacia gjysëmfinaliste e Botërorit të fundit dhe Holanda janë kundërshtarët më të frikshëm, ata për t’u evituar në short për Shqipërinë nga kjo vazo, pastaj vijnë Sllovakia, Sllovenia, dhe Republika Çeke, që janë kundërshtarë më të përballueshëm për kuqezinjtë.
Vazo e katërt, këtu vjen më e bukura , falë barazimit me Ukrainën në vazon e katërt ndodhet Italia, bashkë me dy skuadra të tjera të forta Serbinë, dhe Zvicrën, teksa tre vendet e fundit do të përcaktohen nga skuadrat që do të fitojnë biletat e mbetura nëpërmjet play ofit.
Por, gjithsesi përveç Serbisë, një përballje me ngarkesë të veçantë emocionale, si Italia ashtu dhe Zvicra do të ishin kundërshtarë të vështirë për Shqipërinë në Europian.
Shorti që do të përcaktojë rivalët e kuqezinjve do të hidhet në 2 dhjetor në Hamburg në orën 16.00 me atë shqiptare, ku do të konfigurohen 6 grupet me nga 4 skuadra të fazës finale në Gjermani. Në 1/8 kualifikohen dy skuadrat e para të cdo grupi, plus 4 të tretat më të mira, që do të përcaktohen nga pikët e grumbulluara.
Mbetet për t’u parë nëse goglat në Hamburg do të jenë favorizuese për kuqezinjtë që në këtë europian, shkojnë me bindjen për të kaluar fazën e grupeve./SuperSport
Top Channel