Ish-kryeministri Sali Berisha, një një deklaratë për shtyp menjëherë pas përfundimit të seancës plenare nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se kalimi i buxhetit të shtetit, që është akti më themelor i vitit në 5-7 minuta është skena më e shëmtuar e këtyre viteve në parlament.
“Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar të këtyre viteve në parlament.
Kaluan brenda 5 minutave aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antikushtetuese, anti ligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë.
Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr. E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.
Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve”– tha Berisha duke shtuar se “Beteja pa kthim e opozitës vazhdon”.
I pyetur mbi skenarin e padenjë të krijuar në institucionin legjslativ të një vendi demokratik, sikurse flakadanët që mbushën me tym Kuvendin dhe i vunë flakën tavolinës së deputetëve, Berisha tha se “ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese të shumicës”.
“Mendoj se sot ishte kulmore, pasi sot nuk kaloi asgjë. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese aty. Mos i shihni si flakadanë, por si një mjet që dogji procedurën antikushtetuese.
Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese të shumicës. Rama po ndiqte Facebook-un tim nga dhoma. Aty ishte kohë proteste. Unë ia numërova një për një dhe ai po ndiqte një nga një nga zyra e Lindës. Procedura e buxhetit ishte antikushtetuese, antiligjore”- përfundoi Berisha.
Top Channel