Zbutet rregullorja e emigracionit për Ballkanin, Gjermania: Ndryshime në fuqi nga sot!

18/11/2023 08:38

Nevoja e Gjermanisë për punëtorë të kualifikuar nga jashtë është aq e ngutshme, sa po i shtyn autoritetet atje t`i ndryshojnë sërish rregullat e emigracionit nga vendet jo anëtare të BE-së.

Punëdhënësve gjermanë u mungojnë qindra mijëra punëtorë: në IT si dhe në infermieri, në zeje, logjistikë dhe shumë sektorë të tjerë. Specialistët me diplomë universitare, ose nivel kualifikimi të ngjashëm, që vijnë nga vendet e treta, pra jashtë BE-së, mund të emigrojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së, pa u kontrolluar më parë, nëse ka aspirantë gjermanë ose qytetarë të BE-së për vendin e punës dhe pa dëshmi të aftësive gjuhësore.

Lista e profesioneve me mungesave që më parë përfshinte matematikën, shkencat kompjuterike, shkencat natyrore, inxhinierinë dhe mjekësinë, tani zgjerohet ndër të tjera edhe me arsimin. Kush plotëson të gjitha kushtet si punonjës i kualifikuar me formim profesional ose akademik ka të drejtë të marrë leje qëndrimi. Deri më tani, kjo u lihej ta vendosnin misionet diplomatike dhe autoritetet e imigracionit.

Përveç kësaj, hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që ke mësuar ose studiuar. Një njeri që ka mbaruar për mekanik, për shembull, mund të punojë edhe në logjistikë. Lehtësohet po kështu edhe miratimi nga Agjencia Federale e Punësimit për shoferët profesionistë. Leja e punës jepet pa kontrolluar nëse ka qytetarë të BE-së që e kërkojnë këtë vend dhe pa provim gjuhe, ndërsa njohja e kualifikimeve profesionale në Gjermani, e cila më parë ka qenë shpesh një pengesë burokratike, nuk do të kërkohet më për specialistët me përvojë.

Një tjetër rregullore prek njerëzit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E ashtuquajtura Rregullore e Ballkanit Perëndimor për rekrutimin e punëtorëve nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia tani është e vlefshme për një periudhë të pakufizuar. Nga qershori 2024, kuota vjetore do të dyfishohet në 50,000 punëtorë.

Top Channel