Avionët izraelitë bombarduan shtëpinë e liderit të Hamasit Ismail Haniya, në Rripin e Gazës.

Deri më tani nuk dihet nëse familja e tij ndodhej brenda shtëpisë në momentin e shpërthimit. Megjithatë, informacionet thonë se Haniya nuk është as në Gaza. Ushtria izraelite publikoi pamjet video të bombardimeve.

Gjatë natës, avionët luftarakë të IDF-së goditën rezidencën e Ismail Haniyeh, kreut të Byrosë Politike të Hamasit. Në të njëjtën kohë, qeveria e Hamasit në Rripin e Gazës njoftoi mbrëmë se që nga fillimi i sulmeve izraelite në enklavën palestineze, 11.500 persona janë vrarë, ndër këta 4710 fëmijë dhe 3160 gra.

Sipas të njëjtit burim, të lënduarit llogariten në rreth 29.800. Ministria e shëndetësisë në enklavën palestineze të kontrolluar nga Hamasi tha se dhjetëra trupa ishin shtrirë në rrugët në Rripin verior të Gazës dhe ishte e pamundur të numëroheshin.

Ata gjithashtu pretendojnë se forcat izraelite po qëllojnë mbi ambulancat dhe vullnetarët që përpiqen të mbledhin trupat.

 

Top Channel