Gra që braktisin fëmijët, bashkëshortin, familjen, nuk janë më ngjarje sporadike, por janë kthyer në fenomen të përhapur në vendin tonë.
Janë një sërë arsyesh që çojnë drejt kësaj vendimmarrje, që këto gra apo nëna të heqin dorë nga gjithë sa patën dhe t’i rrezikojnë pa menduar dy herë.
“Kemi me qindra raste në një vit në të gjithë vendin, të nënave që largohen nga familja, duke pretenduar se ka ardhur momenti që të merren dhe të shikojnë gjërat e tyre, që të ndihen të lira, të ndihen të pavarura, të mos kujdesen më për gjithë familjen, të mos ndihen të shtypura nën tutelën e bashkëshortit. Kemi nëna që referojnë se kanë gjetur një partner dhe janë shumë të lumtura me të, apo gra që duan të bëjnë karrierë ndoshta edhe jashtë Shqipërisë, d.m.th. nëna që heqin dorë nga të gjitha përgjegjësitë për fëmijët, nuk kanë kontakte për një kohë të gjatë me fëmijët e tyre, nuk kanë informacion se si shkollohen fëmijët, nuk kanë informacion të përditshmërisë së fëmijëve, të problematikave të tyre, dhe mbi të gjitha nuk kanë informacion për gjendjen emocionale të fëmijëve dhe traumën që iu vënë përsipër fëmijëve të tyre në momentin që largohen, pa dhënë asnjë informacion se ku ndodhen.
Arsyet që qëndrojnë pas këtij fenomeni unë vlerësoj se janë së pari media, keqinterpretimi I barazisë gjinore, të mos harrojmë ndikimin që kanë rrjetet sociale, lehtësia me të cilën bëhen gjërat, lehtësia me të cilën bëhen paratë, karriera, fama. Doja të theksoja edhe një faktor që ne evidentojmë, shoqet që flasin dhe shkëmbejnë mendime me njëra-tjetrën, që ndikohen nga njëra-tjetra, për vendimet që marrin, për ta lënë gjithçka kanë, për të rrezikuar. Të mos harrojmë që martesat në moshë të vogël apo martesat me shkuesi që i gjejmë dhe sot e kësaj dite, çojnë ndonjëherë në vendime të nxituara dhe dëshirën për t’u ndjerë e lirë dhe për të bërë jetën që do, duke mos e perceptuar drejt se çfarë është liria dhe duke mos perceptuar drejt që një nënë përpara se të ketë lirinë, duhet të ketë përgjegjësinë për të vegjlit që ka sjellë në jetë”, tha Valbona Treska, Psikologe, Urdhri i Psikologëve të Shqipërisë.
Top Channel