Pesë kandidatët republikanë për president u ngjitën në podium për debatin e tretë të partisë së tyre, dhe të parin që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Donald Trumpi, njeriu që kryeson jo vetëm garën brenda republikanëve por sipas sondazheve të fundit ka epërsi edhe ndaj demokratit Joe Biden në shtetet kryesore të lëkundura, zgjodhi sërish ta shmangte eventin e të merrte pjesë në një tubim elektoral.
Në qendër të debatit të tretë ishin pretendentët Ron DeSantis dhe Nikki Haley, kjo e fundit është shfaqur konkurrente në disa sondazhe kombëtare për vendin e dytë ku renditet guvernatori i Floridës. Të pesë kandidatët deklaruan mbështetjen e fortë për Izraelin, por u përplasën kur u fol për Kinën dhe Ukrainën, ndërsa përballen me një trysni në rritje për të ngushtuar hendekun që kanë me Trumpin.
“Unë do ti jap fund marrëdhënieve tregtare me Kinën derisa ata të ndalojnë vrasjen e amerikanëve nga fentanili, diçka që Ron ende nuk ka thënë se do ta bëjë”, tha Nikki Haley.
DeSantis tha se, “Haley i mirëpriti investimet kineze në shtetin e saj”, duke iu referuar marrëveshjeve për pronat e patundshme dhe të zhvillimin ekonomik. Haley e akuzoi se i kishte fshirë të dhënat në faqet zyrtare në internet për të fshehur se Florida e kishte paraqitur veten si mikpritëse për bizneset kineze. Vivek Ramaswamy, sipërmarrës në fushën e bioteknologjisë, e fokusoi vëmendjen tek antisemitizmi.
“Unë mendoj se plaga e antisemitizmit në të gjithë vendin është e trishtë të shihet, por ja çfarë na mëson historia. Antisemitizmi është një simptomë e një kanceri më të thellë në një komb, në një shoqëri, që tregon se është i humbur. Dhe ne jemi të humbur”, tha Vivek Ramaswamy, kandidat republikan presidencial.
Shumë prej kandidatëve e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin me shpresën për të rritur mbështetjen si konkurrentë të mundshëm përballë ish-presidentit Trump. Ata e vunë theksin tek dallimet e tyre në politikën e jashtme, por gjithashtu e kanë dënuar ashpër zotin Trump për kritikat e tij ndaj kryeministrit izraelit pas sulmit të Hamasit dhe cilësimin e grupit që sulmoi Izraelin si ‘shumë të zgjuar’.
Në debat morën pjesë edhe kandidatët Tim Scott, Senator i Karolinës së Jugut e Chris Christie, ish-guvernator i Nju Xhersit. Sipas sondazhit të fundit të Universitetit Quinnipiac, ish-Presidenti Donald Trump gëzon mbështetjen më të madhe mes republikanëve, me 64 për qind mbështetje, i pasuar nga Ron DeSantis me 15 dhe Nikki Haley me 8 për qind mbështetje. Trump nuk ka marrë pjesë as në dy debatet e mëparshme.
Top Channel