Komisioni Europian miraton sot paketën e zgjerimit.
Drita jeshile do të jepet në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve europianë së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira. Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces, për 6 vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën.
Po ashtu, Raport Progresi hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat. Pritet gjithashtu që Komisioni Europian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statutit të vendit kandidat për Gjeorgjinë. Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionarët në takimin e së mërkurës.
Në procesin e zgjerimit, Komisioni Europian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet. Takimi i këtij të fundit do të mbahet në dhjetor. Progres-raporti për Shqipërinë e vë theksin te polarizimi i skenës politike në vend për shkak të përçarjes së opozitës.
Raporti me 144 faqe bën një raportim të detajuar të të gjitha fushave në vend, zgjedhjeve lokale, të drejtave të njeriut, administratës publike dhe gjyqësorit. Për sa i përket kriterit politik, zgjedhjet lokale më 14 maj 2023 u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë, thuhet aty. Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet lidhen me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit dhe pretendimet për blerje votash, teksa u regjistrua një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38.2%.
Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdoi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi, ndërsa është bërë progres në adresimin e vendeve vakante të gjyqësorit nëpërmjet betimit të 40 magjistratëve të rinj në tetor 2023.
Top Channel