Në pamje të rënda video shiheshin sot momentet kur pronari një shtëpie luksoze në Los Angeles hap zjarr ndaj dy grabitësve të maskuar që erdhën prapa tij kur ai po hapte derën kryesore.
Në pamje shihet burri që ecën drejt shtëpisë së tij të shtunën pasdite rreth orës lokale 7:30 duke mbajtur një pije në njërën dorë e duke nxjerrë celësat me tjetrën, sipas pamjeve të postuara nga rrjetet lokale ABC 7 e Fox 11 Los Angeles.
Një prej të dyshuarve i afrohet nga prapa por shpejt situata ndryshon kur burri kupton situatën dhe nxjerr armën duke bërë që banditi të largohet me vrap.
“Nuk e kuptova nga më dolën ata të dy nga prapa, një prej tyre më vuri diçka në kurriz, ndoshta një pistoletë”, tha burri për rrjetin ABC 7.
“Mendoj se donin të hynin në shtëpi por unë kam një bebe të vogël, gruan dhe dadon, prandaj nuk do ta lejoja”, thotë ai.
“Nuk kisha në shtëpi ndonjë gjë për të cilën ia vlente të vdiste, por isha gati të vdisja për familjen time”, shtonte babai.
Ai shton për rrjetin Fox 11 se ishte duke mbajtur kufje në momentin e ngjarjes që sipas tij “nuk duhet ta kishte bërë.”
Burri i paidentifikuar publikisht raportohet se ka një leje për ‘armëmbajtje të fshehur në trup’.
Policia tha se po heton ngjarjen dhe po kërkon autorët, edhe pse nuk është ende e qartë nëse ishin grabitës apo çfarë qëllimesh kishin.
Muajin e kaluar Los Angeles miratoi një ligj të ri që ndalon arrestimin e shkelësve jo-të dhunshëm apo burgosjen e tyre por rezidentët thonë se kjo ka shkaktuar rritje të krimit.
“Po kur dikush tenton të hyjë me forcë në shtëpinë time … edhe kur ata nuk më lëndojnë? Unë duhet të tmerrohem sepse ata nuk janë të dhunshëm?” tha vendasja Silvia për rrjetin lokal KTLA.
Top Channel