Qyteti i pazakontë evropian ku ‘është ilegale të vdesësh’, macet ndalohen dhe armët janë të detyrueshme (fotot)

02/11/2023 15:45

Destinacionet evropiane rrallëherë janë aq të pazakonta sa Svalbard, arqipelagu 800 km larg polit të veriut dhe rreth 700 km larg tokës kryesore norvegjeze.

Destinacioni i njohur turistik i veriut është gjithashtu vendndodhja e qytetit më verior në botë, Longyearbyen, të cilin shumica e njerëzve mund ta vizitojnë pa vizë, por do të gjejnë aty disa ligje unike që të gjithë duhet t’i zbatojnë.

Megjithse është i vendosur qindra kilometra larg Norvegjisë, ai qeveriset prej saj që prej vitit 1920.

Vizitorët në Svalbard mund të shijojnë një rang atraksionesh unike si slitat e qenve apo të vizitojnë shpellat e akullit, teksa më shumë se gjysma e ishullit është e mbushur me akull dhe gjendet në temperatura nën zero.

Vetëm disa mijëra njerëz jetojnë në ishull, kryesisht në Longyearbyen, por të gjithë ndajnë hapësirën e tyre me botën e egër të mbushur me drerë, arinj polarë dhe zogj nga më të rrallët që i janë përshtatur motit arktik dhe kushteve të akullta.

Megjithse bota e gjallë është e larmishme, arinjtë polarë normalisht i qëndrojnë larg vendbanimeve njerëzore.

Ata që planifikojnë të vijnë për vizitë duhet të kenë parasysh dhe disa ligje e zakone të pazakonta të vendit. Kështu për shembull macet nuk lejohen këtu pasi kërcënojnë botën e zogjve, ndërsa të tjera pretendime thonë se në Longyearbyen është ‘e ndaluar’ dhe të vdesësh.

Megjithse kjo e fundit nuk është tamam kështu, do të thotë se ata që vdesin në ishuj nuk lejohen të varrosen aty pasi trupat nuk arrijnë të dekompozohen prej kushteve të akullta të klimës.

Sipas legjendave vendase disa minatorë norvegjezë të vrarë në një aksident që u varrosën në Longyearbyen në 1918, i kishin trupat e tyre të ruajtur plotësisht kur u nxorrën për t’u rivarrosur rreth 70 vjet më vonë.

Ndërsa ata që sëmuren në ishull shpesh dërgohen në tokën kryesore norvegjeze për t’u trajtuar, prej qendrave të kufizuara mjekesore në ishull.

Gjithashtu në Longyearbyen nuk ka spital materniteti prandaj shumë të tjerë duhet të udhëtojnë në Norvegji para datës së lindjes.

Të tjera ligje të veçanta udhëzojnë se ata që duhet të udhëtojnë jashtë vendbanimeve duhet të mbajnë armë me vete për t’u mbrojtur nga sulmet e arinjve polarë. Megjithse raste të tilla janë të rralla, disa sulme të arinjve ndaj njerëzve janë raportuar në Svalbard që prej viteve 1970.

Kushdo mund të vendoset për të jetuar në Longyearbyen pasi një traktat norvegjez i vitit 1925 e ka shpallur atë zonë pa vizë ku çdokush në botë mund të bëhet rezident.

Por megjithëse mund të jetoni aty për një periudhë të caktuar kjo nuk ju jep të drejta për qytetarinë e Norvegjisë.

Vendndodhja ekstreme veriore do të thotë se nuk ka diell për katër muaj nga tetori deri në shkurt, por më pas kjo ‘shpërblehet’ pasi dielli duket se nuk perëndon fare nga prilli deri në gusht.

Longyearbyen është gjithashtu nga vendet më të mira për të parë Dritat Veriore, të cilat në muajt e dimrit mund të shihen edhe ditën.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA