Vonesat në zbatim të programit të rindërtimit pas tërmetit po krijojnë problematika të tjera social-ekonomike në Durrës, ku qindra familje vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të kthimit në shtëpitë e tyre ende të pariparuara.

Në pamundësi për të paguar qiratë, banorë të një pallati të dëmtuar 7-katësh në plazhin e Durrësit kanë nisur të jetojnë në një objekt të pabanueshëm, ndërsa shirat kanë nisur dhe pasiguria për jetën është shtuar.

 “Kërkojmë të na rregullohet pallati. Hyn i gjithë shiu brenda, plus i prishën 3 kate. U hoqën dhe pllakat brenda. Ku do banojmë?! Qira s’na dhanë. Pallati qe në fillim DS3 dhe pastaj u shpall DS4. Firma e filloi punën dhe e la. I kërkova bashkisë që të bëjnë dhe një rampë se e kam burrin invalid. Patjetër zonjë, do të vijmë nesër. Kalojnë ditët dhe asgjë. Kush të jep përgjigje?! Tani na thonë dhe që s’ekziston pallati.”

“Shembja e kateve të para të pallatit dhe qëndresa e kateve të tjera ku banohet është si një ndërtesë pa themele dhe me një lëkundje të vogël mund të shembet i gjithë pallati. Ndaj kërkojmë një ndërhyrje sa më të shpejtë që të mbahet pallati në këmbë.”

“Vajtëm vjet në bashki dhe u ankuam dhe erdhën ustallarët në nëntor 2022, pastaj i hoqën skelat se s’kishin lekë. Kanë prishur brenda dhe vetëm kolonat kanë ngel. Ka fiks një vit që këta s’duken më të vijnë”, thanë banorët.

Jo vetëm për 42 familjet e këtij pallati, po dhe për shumë familje të tjera durrsake situata në këtë prag dimri duket e pashpresë.

Nuk ka asnjë komunikim të qartë zyrtar nga ana e bashkisë se si do të vijojë programi i rindërtimit për pallatet e dëmtuara dhe kur do të shpërndahen bonuset e qirasë të cilat nuk jepen prej 7 muajsh për afro 2400 familje që ende janë të pastreha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA