“Kur bën presion fizik mbi deputetët, pastaj hyn në territore të tjera”, Rama: Flamingot do t’i trajtojmë me respekt, sorrat e korbat janë të dhunshëm

02/07/2026 11:20

Gjatë takimit që zhvilloi ditën e sotme me pensionistet, kryeministri Rama foli edhe për incidentet që ndodhën ditën e martë para Kuvendit, ku protestuesit hodhën vezë drejt deputetëve.

Kryesocialisti tha se kur bën presion fizik mbi deputetët, hyn në territore të tjera teksa shtoi se ata që kryejnë akte dhune janë ‘sorrat e korbat sepse flamingot janë paqësorë’.

“Kjo protestë u tregon të gjithë atyre hienave, çakejve, sorrave dhe korbave, se ashtu janë, që rrinë dhe rrokanisin kokën e miletit çdo natë, që këtu është demokraci. Këtu nuk ka autokraci, këtu nuk ka rrahje protestuesish paqësorë. Ah, kur ti shkon atje një grup për të ushtruar presion fizik mbi deputetët, aty pastaj jemi në territore të tjera. Po ata që bëjnë këtë nuk kanë lidhje me flamingot. Flamingot janë paqësorë. Dallimi midis flamingove dhe sorrave e korbave është se flamingot janë paqësorë, ndërkohë që sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Kështu që ne, me flamingot, do t’i trajtojmë me shumë respekt dhe me shumë vëmendje shqetësimet dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme. Do të bëjmë më të mirën e mundshme. Me sorrat dhe korbat ne nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund, ata përsëri do të jenë të humbur dhe, siç u mblodhën kokrra-kokrra dhe bënë këtë tufën e zhurmshme, do të shpërndahen kokrra-kokrra dhe do të vazhdojnë të bëjnë atë “krah-kra-kra”-në e zakonshme”, tha Rama.

Top Channel