“Merreni ose lëreni”, Bashkimi Europian duket i prerë për takimin e të enjtes mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në Bruksel.
BE-ja vjen këtë radhë me një propozim të ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një propozim modern, siç e përshkruan burime në Bruksel. Zëdhënësi i bllokut Peter Stano pohoi se takimi, i cili vjen pas vizitës së të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd gjatë fundjavës, do të jetë “i përqendruar tek mënyrat e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Ohër.”
Qëllimi nuk është të zëvendësohet marrëveshja, ka deklaruar ai në një përgjigje me shkrim për VOA-n.
“Janë diskutuar propozime dhe ide të ndryshme, disa prej tyre në formë të shkruar dhe këto diskutime do të vazhdojnë”, theksoi ai. Në mesin e propozimeve është përfshirë edhe “një propozim modern evropian për (statutin) e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”
“Presim veprim të shpejtë nga palët për të treguar se janë të përkushtuara të vazhdojnë procesin e normalizimit, duke përmbushur detyrimet e dala nga Marrëveshja për normalizim, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme pa parakushte apo vonesa,” sqaroi ai. Tensionet mes dy vendeve arritën një pikë të re kulmore pas sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb.
Top Channel