83 akuza për tentativë vrasjeje janë ngritur ndaj një piloti jashtë shërbimit i cili dyshohet se u përpoq të rrëzonte një avion pasagjerësh gjatë fluturimit në SHBA.
I dyshuari, Joseph David Emerson, 44 vjeç, ishte ulur në kabinën e avionit të Alaska Airlines pas kapitenit dhe oficerit të parë, siç sqarohet në deklaratën e kompanisë ajrore.
Avioni ishte nisur nga Everett i Uashington, për në San Francisko të Kalifornisë me 80 pasagjerë në bord. Por fluturimi i tij u devijua në Portland të Oregonit ku Emerson u arrit të ndalohej pa incidente të mëtejshme. Alaska Airlines tha se piloti kishte tentuar pa sukses të fikte motorët e mjetit në ajër.
Ishin vetë pjesëtarët e ekuipazhit ata që e raportuan episodin. Në një regjistrim të kontrollorëve të trafikut ajror, njëri nga pilotët dëgjohej duke thënë se “personi kishte tentuar të fikte motorët nga kabina, por e kishin ndaluar në kohë”.
Një pasagjere, Aubrey Gavello rrëfeu për mediat amerikane se ata ishin në bord nuk dinin asgjë nga këto që kishin ndodhur deri në momentin kur stjuardesa njoftoi se avioni duhej të ulej menjëherë, duke përmendur si arsye një urgjencë mjekësore.
“Unë e besova, dhe mendova se ishte vërtet një urgjencë e tillë”, tha Gavello. Alaska Airlines sqaroi se të gjithë pasagjerët e kishin vazhduar rrugëtimin më vonë me një avion tjetër.
Top Channel