Pas fitores së rëndësishme 3-0 ndaj Çekisë të enjten e 12 tetorit, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sërish të luajë në stadiumin ‘Air Albania’.
Këtë herë ndaj Bullgarisë, një sfidë jozyrtare, një takim miqësor që ka po aq shumë rëndësi sa ndeshjet e tjera që ka luajtur Shqipëria. Luajmë ndaj ballkanasve, një ekip prestigjioz që dikur mundi 2-1 Gjermaninë në çerekfinalet e Kampionatit Botëror ‘SHBA 1994‘ dhe shkoi deri në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.
Menjëherë pas sfidës me Çekinë, kuqezinjtë zbritën në fushë të premten dhe nisën përgatitjet për këtë ndeshje. Kundërshtari nuk ka aspak rëndësi, nëse është Polonia, Çekia apo Bullgaria, ashtu sikurse nuk është e rëndësishme se për çfarë luhet. Kuqezinjtë e kanë marrë po aq seriozisht sa Çekia ndeshjen me Bullgarinë, paçka se është një miqësore. Nuk është fort e lehtë të mbash veshur fanellën e Kombëtares dhe të përfaqësosh një popull. Fanella e Kombëtares duhet djersitur e duhet respektuar.
Shqipëria kërkon të mbajë të njëjtën formë si në ndeshjet e fundit, të njëjtin ritëm triumfesh e golash, por nga ana tjetër kërkon të njëjtën atmosferë tifozësh në stadium. Pavarësisht se një gol u anulua ndaj Çekisë, fitorja 3-0 erdhi pa dyshim edhe nga kori i tifozëve shqiptarë, që i jep edhe më shumë forcë lojtarëve tanë në fushë. Çdo përfaqësuese në botë ka mbështetës, por Shqipëria ka pa dyshim tifozët më të mrekullueshëm në botë. Janë ata që i japin më shumë zemër kuqezinjve, ata që e mobilizojnë Kombëtaren në çdo ndeshje.
Fanella e Kombëtares është unike. Dhe tani duhet respektuar më shumë se kurrë. Nuk ka rëndësi se me kë luajmë, rëndësi ka të jemi të gjithë NJË për Kombëtaren! Të martën, Shqipëria luan ndaj Bullgarisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 18:00. Le të jemi të gjithë bashkë aty për ta.
Top Channel